Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përsëritur kritikat ndaj ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe për rritjen e ndihmës humanitare për civilët palestinezë.
“Veprimet në Gazë nuk janë më të pranueshme për ne. Kërkojmë, para së gjithash, një armëpushim dhe së dyti një ndihmë humanitare gjithëpërfshirëse për popullsinë në rajon,” deklaroi Merz gjatë një konference për media në Berlin.
Ai njoftoi se këto shqetësime i ka ngritur edhe gjatë bisedave me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe me liderë të tjerë evropianë. “Këtë çështje e diskutova dje në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe do ta trajtoj sërish javën e ardhshme me presidentin francez Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Berlin,” shtoi Merz.
Kancelari theksoi se Gjermania mbetet e angazhuar për mbështetjen e Izraelit, por paralajmëroi se operacionet aktuale ushtarake nuk mund të vazhdojnë në këtë formë.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet palestineze, që nga fillimi i ofensivës izraelite në vitin 2023, mbi 59 mijë persona janë vrarë dhe më shumë se 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica gra dhe fëmijë. Situata humanitare në Gaza vazhdon të jetë kritike, me rreth 1.9 milionë banorë të zhvendosur dhe mungesë të theksuar ushqimi, ilaçesh dhe nevojash bazë.
Izraeli aktualisht po përballet me një proces gjyqësor për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në territorin palestinez.