Nën ndikimin e një vale intensive të të nxehtit, moti në gjithë vendin deri të shtunën do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me temperatura ditore dukshëm mbi mesataren për këtë muaj.

Në rajonin jugperëndimor, lindor dhe verilindor, temperaturat do të sillen nga 34 deri në 38°C, ndërsa në rajonin e Pollogut pritet të arrijnë deri në 38°C. Më nxehtë do të jetë në Pellagoni, Shkup, rajonin e Vardarit dhe në juglindje, ku priten temperatura nga 38 deri në 42°C.

Nesër pritet erë mesatare, ndërsa në pjesët perëndimore edhe më e fortë nga jugperëndimi. Qytetarët paralajmërohen të kenë kujdes për shëndetin, të shmangin ekspozimin direkt në diell dhe të konsumojnë mjaftueshëm lëngje.

Ministria e Shëndetësisë: Mos dilni pa nevojë dhe pini mjaftueshëm lëngje

Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që qytetarët të respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, veçanërisht pasi për këtë javë parashikohen deri në 41°C në disa rajone.

Qytetarët këshillohen të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, të veshin rroba të lehta dhe të shmangin aktivitetet fizike gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Kujdes i veçantë rekomandohet për fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna. Në rast të simptomave si dhimbje koke, marramendje, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës, Ministria këshillon që menjëherë të kërkohet ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, Ndihma e Shpejtë Mjekësore ka njoftuar sot se ka pasur rritje të thirrjeve për ndihmë.