Kampionia në fuqi e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, do të zbresë nesër në fushë, ku në Arenës “Todor Proeski” në Shkup, prej orës 20:00 do të përballet me skuadrën e njohur rumune FCSB, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve, njofton Telegrafi.
Pas eliminimit të skuadrës uellsiane TNS në raundin e parë, kuqezinjtë e Tetovës kanë përballë një sfidë shumë më të madhe, një kundërshtar me histori të lavdishme dhe mbështetje të madhe nga tifozët.
“Na pret një përballje shumë e vështirë kundër FCSB-së, që padyshim është favorit. Flasim për një klub me traditë të madhe dhe me trofe të rëndësishëm – është një ish-fitues i Ligës së Kampionëve. Sot kemi edhe një seancë të fundit stërvitore, dhe më pas do të analizojmë me lojtarët për t’u përgatitur sa më mirë,” – tha trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri në konferencën për shtyp.
Ai konfirmoi se Arbin Zejnullai, i cili ka kryer tre seanca stërvitore pas një dëmtimi muskulor, do të jetë në dispozicion dhe mund të përfshihet në skuadër për ndeshjen.
“FCSB është një emër i madh në futbollin evropian, por edhe ne jemi Shkëndija, andaj do të përpiqemi të jemi në lartësinë që kërkojnë këto ndeshje. Është një duel i madh, çdo ndeshje tani e tutje është sfidë për prestigj. Sa i përket objektivit për të arritur fazën e grupeve, qoftë edhe në Ligën e Konferencës, fokusi ynë i vetëm tani duhet të jenë dy përballjet me FCSB. Vetëm pas Bukureshtit mund të mendojmë për më shumë. Fitorja ndaj TNS ishte vendimtar, sepse na hapi tre mundësi për të hyrë në grupe,” – përfundoi Beqiri.
Kujtojmë se UEFA ka hedhur shortin për raundin e tretë të Liga Europës dhe fati ka dashur që Shkëndija, nëse eliminohet nga FCSB i Rumanisë, të përballet me humbësin e ndeshjes ndërmjet Kopenhagës së Danimarkës dhe Dritës nga Kosova.
Raundi i tretë kualifikues në Ligën e Europës do të zhvillohet më 7 dhe 14 gusht.