Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot kishte takim
me ministrin e Ekonomisë të Republikës së Azerbajxhanit, Mikail Xhabarov, në të cilin
biseduan mbi mundësitë për avancimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Në takim mori
pjesë edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Nikolla Gjoshevski.
Kryetari Gashi shprehu kënaqësinë për takimin e sotëm me ministrin Xhabarov, i cili
realizohet shumë shpejt pas vizitës së suksesshme zyrtare të Delegacionit të Kuvendit të
udhëhequr nga Kryetari Gashi në Republikën e Azerbajxhanit. Ai theksoi se paralelisht me
avancimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, Kuvendi do të bëjë përpjekje për të
thelluar edhe bashkëpunimin midis parlamenteve të dy vendeve.
Ministri Xhabarov theksoi se qëllimi i vizitës së Delegacionit që ai drejton është avancimi i
marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe të investimeve midis dy vendeve, sepse në
delegacion përfshihen edhe përfaqësuesit e sektorit të naftës dhe investimeve të
Azerbajxhanit.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se të dy vendet janë aleatë dhe për këtë arsye duhet
të vazhdojmë të investojmë së bashku në bashkëpunimin dhe miqësinë tonë.