Pas refuzimit fillestar, VfB Stuttgart ka vendosur të hyjë në bisedime me Bayern Munich për transferimin e sulmuesit Nick Woltemade, raporton BILD. Kjo shënon një kthesë të madhe në qëndrimin e klubit, që deri tani kishte mbajtur një pozicion të prerë kundër shitjes.

Oferta e Bayernit, e cila kap vlerën 55 milionë euro (50 milionë + 5 në bonuse), ishte refuzuar më parë, por presioni i brendshëm dhe potenciali financiar kanë bërë që disa zyrtarë të kërkojnë rishqyrtim.

Woltemade, 23 vjeç, është afër të bëhet shitja më e madhe në historinë e Stuttgartit, duke kaluar transferimin e Benjamin Pavard te Bayern për 35 milionë euro në vitin 2019.

Disa anëtarë të bordit mbikëqyrës kanë ndryshuar qëndrim dhe janë të mendimit se një ofertë e tillë duhet të merret seriozisht, pasi mund të ketë ndikim të madh në financat e klubit.

Përkundër kësaj, drejtori ekzekutiv Alexander Wehrle dhe drejtori sportiv Fabian Wohlgemuth, së bashku me presidentin Dietmar Allgaier, vazhdojnë të jenë më të rezervuar në lidhje me largimin e sulmuesit.

Situata është bërë edhe më delikate për shkak të afërsisë gjeografike mes kampit stërvitor të Stuttgartit në Tegernsee dhe selisë së Uli Hoeness e Max Eberl nga Bayern, duke nxitur spekulime për një takim vendimtar.

Tani pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për fatin e transferimit të Woltemade, ndërsa negociatat zyrtare pritet të nisin së shpejti – me Bayernin që nuk heq dorë dhe Stuttgartin që më në fund ka hapur derën për bisedime.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume