Një avion pasagjerësh An-24 u rrëzua në rajonin Amur në Rusi ku sipas mediave lokale të 49 personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.

Avioni me dy turbohelikë mbante 43 pasagjerë – pesë prej tyre fëmijë – dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

Dyshohet se shkaku mund të jetë një defekt teknik ndërsa trupi i avionit në flakë, i cili ishte nga epoka sovjetike u vu re në tokë nga një helikopter dhe ekipet e shpëtimit që po nxitonin në vendngjarje.

“Gjatë operacioneve të kërkimit, helikopteri Mi-8 i Administratës Federale të Aviacionit zbuloi trupin e djegur të aeroplanit. Shpëtuesit po përpiqen të arrijnë në vendin e incidentit”, thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve.

Deri më tani, helikopteri me shpëtimtarët nuk ka arritur të ulet në zonën e rrëzimit, ku ka shpërthyer një zjarr.

Kujtojmë që aeroplani i pasagjerëve An-24 që fluturonte nga Blagoveshchensk në aeroportin Tida u zhduk nga radari këtë të enjte.