Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpërthimit të qindra vatrave zjarri në komuna të ndryshme të vendit, duke i cilësuar dëmet si të konsiderueshme në aspektin material dhe mjedisor.

“Komuna të shumta të vendit tonë po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore. Situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shprehur solidaritet me qytetarët e prekur, fermerët që kanë humbur prodhimet bujqësore, si dhe me ekipet emergjente që po luftojnë me flakët në terren.

“Mirënjohje të thellë për zjarrfikësit tanë, për punonjësit e emergjencës dhe për të gjithë vullnetarët që me guxim dhe përkushtim janë në vijën e parë të përballjes me flakët,” ka shkruar Presidentja.

Sipas Osmanit, institucionet e Republikës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. Ajo konfirmoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ndërhyjë menjëherë nëse kërkohet nga autoritetet komunale apo qendrore.

Presidentja u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar.

“Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve. Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë,” theksoi Osmani.