Presidenti amerikan, Donald Tramp ka kritikuar ashpër Rusinë, pas sulmeve vdekjeprurëse në Kiev, në të cilat u vranë 28 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Veprimet e Rusisë, Tramp i quajti “të neveritshme” dhe është zotuar për sanksione të reja. Presidenti amerikan i ka bërë këto deklarata disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski ka bërë thirrje për “ndryshim regjimi” në Kremlin, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’ia parandaluar Rusisë tentimet për “destabilizim” të rajonit në të ardhmen. Ai ka thënë se ende beson që është e mundshme për aleatët perëndimorë që ta detyrojnë Rusinë t’i japë fund luftës në Ukrainë.
“Mendoj se ajo që po bën Rusia është shumë e neveritshme. Rusët po vdesin, ukrainasit po vdesin, e dini që Shtetet e Bashkuara nuk janë realisht të përfshira në këtë luftë. Nuk duhet të jenë… Do të vendosim sanksione. Nuk e di nëse kjo ka ndonjë efekt, por do ta bëjmë. Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Kjo është një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president. Dhe kjo është lufta e Bajdenit. Ishte një luftë e marrë për t’u përfshirë, nuk duhej të kishim hyrë kurrë në këtë luftë”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.