TikTok ka ndërmarrë hapa të rinj për të përmirësuar sigurinë e të rinjve në platformën e saj, duke prezantuar një seri funksionesh të reja që i japin prindërve më shumë mundësi mbikëqyrjeje. Një nga risitë më të spikatura është njoftimi automatik që prindërit marrin kur fëmija i tyre publikon një video me shikueshmëri publike.

Kjo veçori është pjesë e opsionit “Family Pairing”, një mekanizëm që lejon lidhjen e llogarive prind-fëmijë me qëllim kontrollin më të afërt të aktivitetit të të miturve në platformë. Përveç njoftimeve për postimet publike, TikTok ka parashikuar që prindërit të njoftohen edhe kur fëmija i tyre raporton një video megjithëse pa pasur akses në vetë përmbajtjen e raportuar.

Ndërkohë, kompania ka bërë të ditur se po zgjeron opsionet për menaxhimin e ndërveprimeve në platformë, duke përfshirë kontroll më të madh mbi komentet dhe mënyrat e ndërveprimit me videot. Këto ndryshime shfaqen në një kohë kur presioni mbi rrjetet sociale është rritur ndjeshëm, sidomos në vendet perëndimore.

Në Mbretërinë e Bashkuar, është futur në fuqi Akti për Sigurinë Online një ligj i ri që vendos standarde më të rrepta për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ligji kërkon nga platformat që të zbatojnë masa të forta për bllokimin e përmbajtjeve të papërshtatshme dhe për mbrojtjen e të miturve nga rreziqet digjitale. Megjithatë, mbi 400 mijë qytetarë britanikë kanë ngritur shqetësime mbi ndikimin që ky ligj mund të ketë në lirinë e shprehjes në internet.

Drejtori për politikën publike të TikTok në Mbretërinë e Bashkuar, Ali Law, e përshkroi sigurinë online si një “garë që nuk fitohet kurrë plotësisht”. Ai theksoi se kompania është e përkushtuar për të përditësuar vazhdimisht masat e saj, në përpjekje për të mbrojtur përdoruesit më të rinj. Sipas tij, hulumtimet tregojnë se adoleshentët dëshirojnë të kenë kontroll mbi përvojën e tyre online, por gjithashtu e vlerësojnë përfshirjen e prindërve në rregullimin e cilësimeve të privatësisë.

Në intervista për Sky News, vetë adoleshentët ngritën shqetësime për përmbajtje të papërshtatshme që shpesh hasin në platformë, përfshirë materiale për të rritur. Ata deklaruan se nuk i kërkojnë këto përmbajtje me qëllim, por që shfaqen me lehtësi gjatë përdorimit të aplikacionit.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, TikTok theksoi se përmbajtjet e dëmshme nuk janë të mirëpritura në platformë dhe se një ekip i specializuar punon përditë për t’i identifikuar dhe hequr ato. Sipas kompanisë, 98% e përmbajtjeve që shkelin rregullat e komunitetit fshihen përpara se të raportohen nga përdoruesit.

Me këto përpjekje të fundit, TikTok synon të forcojë besimin e përdoruesve dhe të prindërve, ndërsa përballet me sfidat komplekse të sigurisë digjitale në një realitet gjithnjë e më të rregulluar me ligj.