Taravari: “Më mirë të dal nga qeveria sesa të jem vazal i dikujt” – Arsyet pse u largova nga koalicioni VLEN

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka sqaruar për herë të parë me detaje vendimin për t’u larguar nga koalicioni opozitar VLEN dhe për t’iu bashkuar Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI. Në një intervistë të gjatë televizive, Taravari theksoi se ndarja nuk ishte për pushtet, por për shkak se “projekti nuk funksiononte”.
Sipas Taravarit, gjatë qeverisjes me VMRO-DPMNE-në e Hristijan Mickoskit, premtimet që u dhanë shqiptarëve nuk u realizuan. “Premtuam decentralizim fiskal, por në vend të kësaj u sollën ligje që e centralizuan edhe më shumë pushtetin. Premtuam investime në Maqedoninë Perëndimore, por nga 200 kompani që morën ndihmë financiare, asnjë nuk ishte shqiptare,” tha Taravari.
Ai kritikoi edhe qasjen diskriminuese në punësime, duke përmendur shembuj konkretë: “Në ushtri u pranuan 350 veta, prej të cilëve vetëm 90 shqiptarë; në polici u punësuan 400 maqedonas dhe vetëm 25 shqiptarë.” Sipas tij, këto janë shkelje të rënda që nuk mund të justifikohen.
“Më mirë të jesh herë andej, herë këndej, sesa të mbetesh vazal i dikujt që nuk respekton shqiptarët. E kam zgjedhur të dal nga qeveria, edhe pse mund të qëndroja në pushtet duke heshtur,” përfundoi Taravari.
2 ***
“Shqiptarët të bashkuar për të drejta më të mëdha” – Taravari flet për të ardhmen dhe sfidat
Pavarësisht largimit nga VLEN dhe hyrjes në Frontin Evropian, Arben Taravari tha se qëllimi kryesor mbetet faktorizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Në këto zgjedhje lokale duhet të jemi bashkë, sepse është moment i jashtëzakonshëm. Edhe me kundërshtarët tanë më të mëdhenj, si zoti Ahmeti, kemi qenë në kohë të caktuara kundërshtarë, por tani mendoj se duhet të bashkëpunojmë për të drejtat e shqiptarëve,” u shpreh Taravari.
Ai pranoi që për dekada, partitë shqiptare kanë qenë të përqendruara më shumë në pushtet sesa në projekte konkrete për shqiptarët, por theksoi se kjo duhet të ndryshojë. “Ka ardhur koha për riorganizim të skenës politike shqiptare, që të mos kemi vetëm luftë për poste, por projekte të qarta,” tha ai.
Taravari shtoi se edhe pse nuk kandidon më për kryetar komune, do të vazhdojë të promovojë gjeneratën e re të politikanëve: “Duhet t’iu japim hapësirë të rinjve, me energji dhe ide të reja.”
3 ***
Taravari rrëfen “kompleksin” e Mickoskit dhe termin “kaur”: “Na akuzoi se donim të defaktorizonim maqedonasit”
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka treguar në një intervistë detaje të panjohura nga bisedat me kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, përpara vendimit për t’u tërhequr nga qeveria.
Sipas Taravarit, Mickoski kishte frikë se një bashkëpunim mes tij dhe Ali Ahmetit për zgjedhjet lokale do t’i “defaktorizonte maqedonasit” në Maqedoninë Perëndimore dhe e kishte përdorur edhe shprehjen fyese “kaur” që vetë Taravari e denoncoi publikisht.
“Në një takim, kur i tregova që kam opsion të negocioj me Ali Ahmetin për kandidaturat në zgjedhjet lokale, më tha: ‘Arben, e kuptoj këtë si përpjekje për të defaktorizuar maqedonasit në Maqedoninë Perëndimore’. E pyeta: ‘Si mendon defaktorizimin e maqedonasve?’ Ai më tha se nëse bashkohemi, fitohen krejt komunat pa asnjë votë maqedonase. Unë ia ktheva: përkundrazi, ne kërkojmë vota prej të gjithëve, maqedonas, turq, romë,” – rrëfeu Taravari.
Ai e quajti këtë qasje të Mickoskit si një “kompleks” të reflektuar, duke thënë se kur përdor fjalën “kaur” ose flet për defaktorizim të maqedonasve, realisht ka frikë nga defaktorizimi i shqiptarëve.
“Ka në psikologji një term që quhet reflektim ose pasqyrim: një njeri kur thotë ‘kaur’, ai në mendjen e vet mendon shqiptar. Kështu e kuptoj unë, ndryshe s’ka shpjegim. Raportet i kemi pasur të mira, por duket se ai kishte këtë frikë,” – tha Taravari.
Sipas tij, ky mentalitet shkon përtej një gare elektorale, duke e kthyer rivalitetin politik në një përpjekje për të marginalizuar shqiptarët nga institucionet lokale.
4 ***
Taravari: Ndikimi serb dhe afrimi me Hungarinë rrezikojnë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur alarmin për ndikimin e shtuar serb dhe afrimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut me Hungarinë, që sipas tij e kanë larguar vendin nga rruga drejt Bashkimit Europian.
Taravari tha se gjatë kohës sa ishte në qeveri, kishte dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë kritika të ashpra se qeveria po largohej nga kursi europian dhe po afrohej me vende që nuk janë model i demokracisë.
“Plot përfaqësues ndërkombëtarë na kanë thënë se nuk po shkojmë drejt BE-së. Më shumë po afrohemi me Hungarinë, e cila nuk është model i preferuar në Bashkimin Europian. Na thanë qartë: Serbia ka ndikim të jashtëzakonshëm,” tha Taravari.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte pasur takime edhe me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilët ishin të shqetësuar për faktin që qeveria po e humbte fokusin tek integrimi europian.
“Na kanë thënë që duhet të insistoni më shumë, duhet të bëni presion për reformat. Sepse ne si faktor politik shqiptar duhet të jemi garanci për kursin europian, por realisht nuk kishim më fuqi ta bënim këtë,” shtoi Taravari.
Si shembull konkret, ai përmendi çështjen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë, të cilin kryeministri Mickoski e kishte premtuar, por nuk e solli për muaj të tërë.
“Në institucionet shtetërore, përfaqësimi i shqiptarëve në punësime të reja nuk është as 5%. Kjo është shumë larg nga balanca që duhet të kishim dhe tregon që shqiptarët u margjinalizuan,” theksoi Taravari.
Në fund, ai u shpreh se Maqedonia e Veriut është shumë më larg Bashkimit Europian sot sesa ishte para një viti, dhe se faktorët shqiptarë duhet të kishin bërë më shumë për ta parandaluar këtë rrëshqitje.
5 ***
Taravari: VMRO nuk na përfilli kur pa përçarje brenda VLEN-it
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka rrëfyer prapaskenat e largimit nga koalicioni VLEN dhe qeveria, duke thënë se partia e Mickoskit, VMRO-DPMNE, filloi të mos e merrte më parasysh këtë koalicion pasi pa “desinkronizim total” brenda tij.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Taravari foli hapur për problemet që sipas tij e çuan në largimin nga koalicioni VLEN dhe qeveria. “Jo vetëm që brenda VLEN-it kishte diçka që nuk funksiononte si duhet, por edhe VMRO kur pa këtë desinkronizim total, nisi të mos na përfillte fare,” deklaroi ai.
Taravari kujtoi se kur Aleanca për Shqiptarët iu bashkua koalicionit, projekti u prit mirë nga votuesit shqiptarë, duke sjellë 27 mijë vota – shifër që, sipas tij, BDI-ja nuk e kishte arritur kur formonte qeveritë më parë. Megjithatë, tha ai, pas një periudhe në pushtet, u bë e qartë se brenda VLEN-it kishte probleme të thella funksionimi.
Ai shtoi se edhe tani, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, në koalicionin VLEN vazhdojnë të ketë “disfunksionalitet”, duke lënë të kuptohet se tensionet dhe mungesa e bashkëpunimit mbeten problem serioz.
6 ***
Taravari: Nga vizita në SHBA, shqetësimi ynë kryesor mbetet bllokimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka folur për vizitën e tij pesëditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për situatën politike para zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Taravari tha se qëndrimi i administratës amerikane ndaj Ballkanit nuk është prioritet, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet ngecja e vendit në rrugën drejt negociatave me BE.
Taravari theksoi se qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja në një konferencë për të drejtat e njeriut, e organizuar nga një shoqatë e afërt me Partinë Republikane. Gjatë qëndrimit, ai zhvilloi takime me senatorë, kongresistë dhe njohës të rajonit, megjithëse, sipas tij, njohuritë e tyre për Ballkanin janë ende të kufizuara.
“Administrata aktuale amerikane nuk e ka prioritet Ballkanin, megjithatë ne ua shprehëm shqetësimin tonë kryesor që Maqedonia e Veriut nuk po ecën në rrugën e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian”, tha Taravari.
Ai zbuloi gjithashtu se pati edhe takime private, përfshirë një darkë me ish-ambasadorin William Walker. Taravari e cilësoi vizitën si “shumë të frytshme dhe me plot takime të rëndësishme”.
Në pjesën tjetër të intervistës, Taravari foli edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të shpallen së shpejti, si dhe për vendimin e Aleancës për Shqiptarët për të hyrë në koalicion me Frontin Europian, tani i quajtur Aleanca Kombëtare për Integrim. Sipas tij, kjo është një lëvizje që synon të unifikojë faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
7 ***
Taravari: VMRO nuk e mbajti fjalën për Europën, ndikimi serb po rritet në Shkup
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar arsyet e largimit nga koalicioni VLEN, duke theksuar se Marrëveshja me VMRO DPMNE-në parashihte afrim drejt BE-së, por ndodhi e kundërta.
I ftuar në “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Taravari tha se qëllimi fillestar i koalicionit VLEN dhe bashkëpunimit me VMRO DPMNE-në ishte ndryshimi dhe përshpejtimi i integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. “Jo që u afruam, por u larguam edhe më shumë nga Bashkimi Evropian,” tha Taravari, duke shtuar se këtë e pranojnë edhe ndërkombëtarët.
Sipas tij, marrëveshja me VMRO DPMNE-në kishte katër pika, të gjitha të lidhura me procesin e integrimit europian, por rezultati ishte zhgënjyes. Ai tha se brenda VLEN-it kishte probleme funksionimi, por një tjetër shqetësim serioz është edhe rritja e ndikimit serb në vend.
“Millorad Dodiku vjen në qendër të Shkupit dhe aty e ke kryeministrin,” deklaroi Taravari, duke lënë të kuptohet se lidershipi aktual i qeverisë dhe VMRO nuk po mbajnë një kurs pro-perëndimor.
8 ***
Taravari: VLEN-i dështoi, u desinkronizuam plotësisht – Mickoski e shfrytëzoi për të dobësuar shqiptarët
Arben Taravari pranoi për herë të parë publikisht se koalicioni VLEN, i cili hyri në qeveri me VMRO-DPMNE, nuk funksionoi kurrë si duhet dhe se kjo gjendje e dobësoi faktorin shqiptar në institucionet shtetërore.
Taravari shpjegoi pse ky projekt nuk funksionoi: katër parti shqiptare me struktura të ndara, që nuk arrinin të merrnin vendime të përbashkëta, e që sipas tij u kthyen në një “kaos” brenda qeverisë.
“Çdo vendim duhej të kalonte në katër kryesi partish, të takoheshin katër kryetarët, të sinkronizoheshin, dhe shpesh nuk pajtoheshim. Për çdo drejtor, për çdo vend pune, duhej kohë. Derisa ne merreshim vesh, Mickoski vepronte vetë. Shumë drejtori që na takonin neve, i emëronte ai nga radhët e maqedonasve,” – tha Taravari.
Ai pranoi se që në fillim kishte propozuar fuzionimin e katër partive shqiptare në një subjekt të vetëm, për ta pasur më të lehtë vendimmarrjen.
“Unë propozova që të bashkohemi, të funksionojmë si një parti. Por më thanë nuk është momenti, më mirë të kemi katër struktura që të mbulojmë më shumë terren. Në praktikë, kjo doli totalisht joefikase,” – rrëfeu ai.
Taravari pranoi gjithashtu se kjo situatë e fragmentuar e shndërroi VLEN-in nga një faktor që duhej të fuqizonte shqiptarët, në një mekanizëm që e defaktorizoi realisht ndikimin e tyre në qeveri.
“Nuk është se e bëmë me qëllim, por doli që ne vetë i shërbyem njëfarë defaktorizimi të shqiptarëve në institucione. Ndryshimin e sollëm, por ndryshimi nuk doli më i mirë. Ky është problemi,” – u shpreh ai.
Ai kritikoi qasjen e kryeministrit Mickoski, që sipas tij e kuptoi shpejt këtë dobësi të VLEN-it dhe e shfrytëzoi për të forcuar kontrollin e partisë maqedonase mbi institucionet, duke anashkaluar shqiptarët.