Autoritetet iraniane kanë mbyllur të gjitha tualetet publike në Teheran si pjesë e masave emergjente për të përballuar krizën e rëndë të ujit që po godet vendin, njoftojnë mediat vendase Didban Iran dhe Shargh.

Deri më tani, autoritetet e kryeqytetit nuk kanë komentuar zyrtarisht, por dëshmitarë okularë konfirmojnë se shumë prej tualeteve publike, përfshirë edhe ato në stacionet e metrosë, janë tashmë të mbyllura.

Në rajonin metropolitan të Teheranit vlerësohet se ndodhen rreth 20,000 tualete publike.

Kriza e ujit dhe energjisë është kthyer në shqetësim madhor për popullsinë e Iranit. Në disa zona të Teheranit dhe në të paktën 50 qytete të tjera të vendit, furnizimi me ujë është ndërprerë deri në 48 orë.

Ndërkohë, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike e bëjnë të pamundur përdorimin e kondicionerëve, edhe pse temperaturat shkojnë deri në 50°C.

“Është pothuajse e pamundur të jetosh në këto kushte,” shkruajnë me mijëra banorë të Teheranit në rrjetet sociale, ku pasqyrojnë përditshmërinë e vështirë të rreth 15 milionë njerëzve në kryeqytet.

Qeveria e re e presidentit Masoud Pezeshkian po shqyrton masa shtesë për të kursyer burimet, përfshirë shkurtimin e javës së punës nga pesë në katër ditë ose mbylljen e përkohshme të qytetit për një javë.

Megjithatë, frika për ndikimin ekonomik të këtyre veprimeve ka penguar zbatimin e tyre deri më tani.

Presidenti Pezeshkian e ka përshkruar situatën si një “katastrofë natyrore” dhe paralajmëron se mund të përkeqësohet në javët në vijim, pasi rezervuarët kryesorë të ujit janë pothuajse bosh.