Ash: Skandali i rëndë anti-shqiptar në ndeshjen Maqedoni – Rumani: Heshtja institucionale është bashkëfajësi

Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën më të thellë dhe dënon ashpër skandalin me përmbajtje të theksuar nacionaliste dhe gjuhë të urrejtjes që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Në një atmosferë që duhej të ishte sportive dhe bashkuese, tribunat e palestrës u shndërruan në një skenë të thirrjeve raciste dhe fyerjeve të rënda ndaj shqiptarëve. Parulla si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët” përfaqësojnë jo vetëm gjuhë fashiste të papranueshme, por edhe një alarm serioz për nivelin e rrezikshëm të urrejtjes që po tolerohet publikisht në vendin tonë.
Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më shqetësuese është fakti se në momentin e këtyre thirrjeve të turpshme ishin të pranishëm vetë Kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i Punëve të Jashtme Panço Toshkovski, Zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, si dhe Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, të cilët nuk reaguan asnjë çast për të ndalur gjuhën e urrejtjes që jehonte përreth tyre.
Mosreagimi i institucioneve është skandaloz dhe për Aleancën për Shqiptarët kjo përbën bashkëpërgjegjësi morale dhe politike. Në një shtet funksional dhe demokratik, çdo akt i tillë do të shoqërohej me ndëshkim të menjëhershëm dhe distancim institucional. Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut të vitit 2025, kjo gjuhë urrejtjeje tolerohet, injorohet, madje edhe normalizohet nga vetë udhëheqësit shtetërorë.
Heshtja e grupimit VLEN përballë kësaj situate skandaloze – ku shqiptarët fyhen publikisht në zemër të Kumanovës, në prani të krerëve më të lartë shtetërorë – nuk është thjesht mungesë reagimi. Është pranim i heshtur dhe pozicionim politik përballë një akti të rëndë diskriminimi. Në këtë mënyrë, VLEN jo vetëm që shmang përgjegjësinë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, por vendoset hapur përballë tyre, duke u bërë palë në një bashkëfajësi të turpshme me pushtetin që toleron ose nxit gjuhën e urrejtjes.
Aleanca për Shqiptarët kërkon reaksion të qartë dhe të prerë nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes, kërkim falje publike ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë incident turpërues, hetim të pavarur dhe ndëshkim penal për organizatorët dhe nxitësit e urrejtjes në tribunat sportive, por edhe ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, BE-në dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për të monitoruar përhapjen e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut.
Sporti nuk duhet dhe nuk guxon të përdoret si platformë për urrejtje etnike. Heshtja përballë kësaj urejtjeje nuk është neutralitet – është pajtim me racizmin. Çdo vonesë në reagim është dëshmi se ky shtet nuk është i të gjithëve.