Ramadan Imeri ka shpallur kandidaturën e tij si i pavarur për kryetar të Komunës së Dibrës, duke u pozicionuar si alternativë ndaj partive dhe figurave politike të deritanishme. Me një ton të drejtpërdrejtë dhe të ndjerë, Imeri thotë se nuk përfaqëson asnjë parti dhe nuk ndjek asnjë interes personal, por ka vetëm një qëllim: t’u shërbejë qytetarëve me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim informon Tetovasot.

Në deklaratën e tij publike permes Facebook, Imeri shpalos një profil njerëzor dhe të ndjeshëm, duke përmendur përvojat personale me padrejtësinë dhe harresën, por edhe vlerat mbi të cilat është rritur – fjala, besa dhe ndihma pa zhurmë. “E di si është të trokasësh në një derë dhe të mos të hapet,” – thotë ai, duke iu referuar mungesës së ndjeshmërisë në qeverisje.

Ai e prezanton kandidaturën si një reagim ndaj premtimeve të pambajtura dhe distancës që kanë krijuar politikanët me qytetarët. Me këtë rast, Imeri premton një qeverisje të hapur, njerëzore dhe të përgjegjshme, që dëgjon dhe vepron çdo ditë, jo vetëm gjatë fushatës.

Përkrah tij është edhe Dërgim Kaja, bartës i listës për këshillin komunal – një emër që Imeri e përshkruan si njeri me integritet dhe përvojë në shërbim të komunitetit.

Megjithatë, kandidatura e tij ka ngritur pikëpyetje politike. A është ky një sinjal ndarjeje nga Izet Mexhiti, lider i Lëvizjes Demokratike dhe figurë me ndikim në zonë? Deri më tani, Imeri ka qenë i afërt me këtë rreth politik, ndaj dalja e tij si i pavarur interpretohet nga disa si një veprim sfidues – madje edhe si një “thikë pas shpine”. Të tjerë e shohin si shenjë pjekurie politike dhe largim nga logjika e vjetër partiake.

Në një skenë politike ku qytetarët shpesh ndihen të zhgënjyer dhe të harruar, kandidimi i Ramadan Imerit si i pavarur për Dibrën vjen si një përpjekje për të rikthyer besimin, dinjitetin dhe afërsinë në qeverisje. Tashmë mbetet të shihet nëse qytetarët do t’ia besojnë timonin e ndryshimit.Tetovasot