Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka dënuar ashpër skandimet nacionaliste dhe ksenofobike që janë dëgjuar nga një grup i vogël personash gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë dhe Rumanisë në Kumanovë.

Duke iu përgjigjur një pyetje nga gazetarët, Mickoski theksoi se tifozët duhet të mbështesin ekipet e tyre në mënyrë sportive dhe pa fyerje apo mesazhe ksenofobike. Ai shtoi se pavarësisht se nuk i kishte dëgjuar vetë skandimet gjatë ndeshjes, pasi bëhej fjalë për një grup të vogël personash, i bashkohet dënimit ndaj çdo forme nacionalizmi dhe ksenofobie.

“Dua të dërgoj një mesazh të qartë për të gjitha grupet e tifozëve – të mbështesin sportin, ekipin e tyre dhe përfaqësuesen e Maqedonisë në mënyrë sportive. Gjithçka tjetër do të jetë objekt i hetimeve dhe sanksioneve, pa marrë parasysh nga kush vjen,” deklaroi Mickoski.

Edhe Federata e Basketbollit dhe Komuna e Kumanovës kishin reaguar më herët, duke dënuar sjelljet e papërshtatshme dhe ksenofobike të shfaqura nga disa persona të pranishëm në sallë. Kryeministri nënvizoi se asnjë nga të pranishmit nuk e mbështeti sjelljen e tillë dhe se ajo nuk përfaqëson frymën sportive që duhet të mbizotërojë.