Aleksandër Çipa

Nuk quhet ksenofobi, urrejtja apo racizmi i disa shtetasve ndaj disa shtetasve të së njëjtës republikë!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Hristijan Mickoski ka reflektuar me vonesë për të dënuar ashpër thirrjet raciste dhe ultranacionaliste të tifozave maqedonas dhe të ndërkallur të tjerë, në atë turmë tifozash në Kumanovë, ndërsa zhvillohej ndeshje me ekipin e Rumanisë.
Në fakt, duke “ dënuar ashpër” atë kor, të cilin nuk e dëgjoi (?), ndërsa gjendej vetë në stadiumin e lojërave me dorë, zoti Mickoski kalon në një gabim të dytë, duke dashur të cilësojë britmat e tyre antishqiptare si ksenofobi!
Zoti kryeministër i një vendi fqinj me tonin!
Thirrjet antishqiptare në vendin ku u gjendët dhe ju dhe disa shtetarë të tjerë të lartë, të republikës suaj, së pari: janë ulërima antiligjore të disa shtetasve tuaj ndaj shumë shtetasve tuaj dhe nuk janë ksenofobi. Ato britma janë racizëm i plotë, ultranacionalizëm i vjetërruar dhe antishqiptarizëm patologjik. Shqiptarët janë bashkështetas me të drejta të plota dhe përcaktues të ekzistencës së republikës suaj. Ksenofobia në vendin tënd mund të ketë të bëjë me kombësi të tjera, por kurrësesi me shqiptarët, se ata janë dhe do të jenë zot, në vend të tyre! Të pretendosh për ksenofobi të shttasve të tu ndaj shtetasve të tjerë të tu, është paradoks i një zotnie që i trajton konceptet e përgjithshme si për një vend tjetër.!!!
Ajo që ndodhi në ndeshjen sportive ku u gjendët ju, përbën qartësisht “ lëndë hetimi dhe ndëshkueshmërie pa dallim”. Mos vononi ndëshkueshmërinë sikundër vonuat dëgjimin dhe reagimin!