Një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta për të kundërshtuar “padrejtësitë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar një video-mesazh nga zëdhënësja Angela Griep.

Në këtë video, Griep thekson rëndësinë që Gjykata i kushton mbrojtjes së dëshmitarëve dhe viktimave që, sipas saj, duhet të kenë mundësinë të tregojnë historinë e tyre “pa frikë”.

Ajo rikujton se vendimi që proceset gjyqësore për krime lufte të zhvillohen jashtë territorit të Kosovës është marrë në marrëveshje mes institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, pikërisht për të garantuar një nivel më të lartë sigurie për dëshmitarët dhe viktimat.

“Në Kosovë, si në vendet e tjera demokratike, është e paligjshme të përpiqesh të ndalosh një viktimë apo një dëshmitar që të tregojë historinë e tij, qoftë duke e kërcënuar apo duke i premtuar ndonjë shpërblim,” tha ajo.

Griep theksoi gjithashtu se manipulimi i dëshmive përbën vepër penale:

“Është po ashtu e kundërligjshme t’i thuash një dëshmitari të gënjejë në gjykatë apo të ndryshojë dëshminë. Njerëzit që shkelin këto rregulla mund të gjykohen dhe dënohen nga Dhomat e Specializuara.”

Sipas saj, deri tani pesë persona janë shpallur fajtorë ose kanë pranuar fajësinë për frikësimin e dëshmitarëve, ndërsa pesë të tjerë janë akuzuar për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarë.

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë në Dhomat e Specializuara. Ata mbrohen para, gjatë dhe pas dëshmisë së tyre,” përfundoi Griep.

Ndërkohë, nesër nga ora 17:00, organizatat që përfaqësojnë veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar një protestë në Prishtinë, me moton “kundër padrejtësive” që, sipas tyre, po u bëhen ish-drejtuesve të luftës që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Protesta vjen në kohën kur është bërë e ditur se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), të cilat do të përdoren si dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Aktualisht, Dhomat e Specializuara ndodhen në pushim veror deri më 15 gusht dhe gjatë kësaj periudhe janë pezulluar edhe konferencat javore për media – megjithatë, video-mesazhi i publikuar sot nga Specialja u shpërnda si reagim në kohë të tensionuar.