Publikimi i listës së projekteve kërkimore të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin 2025 ka nxitur debat të ashpër mbi barazinë në mbështetjen akademike në Maqedoninë e Veriut. Nga 40 projekte të miratuara, 39 kanë shkuar për universitete dhe institute maqedonase, ndërsa vetëm një projekt është ndarë për Universitetin e Tetovës, përcjell PressOnline.al.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Akademia e Shkencave dhe Arteve (ASHAM), Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir kanë siguruar secili nga 5–6 projekte. Ndërkohë, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” janë plotësisht të përjashtuar nga lista.

Raporti 39 me 1 ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik, duke u interpretuar si shembull i qartë i trajtimit të pabarabartë të universiteteve shqiptare në vend. Sipas kritikëve, përfshirja e vetëm një projekti nga Universiteti i Tetovës shërben thjesht për të shmangur një listë krejtësisht monoetnike.

Ky zhvillim ka hapur një debat të gjerë mbi kriteret e përzgjedhjes dhe transparencën e procesit, si dhe mbi premtimet institucionale për barazi në arsim dhe kërkim shkencor. Shumë e shohin këtë si një sinjal alarmi për gjendjen e shkencës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën e të rinjve që synojnë karrierë akademike në vendin e tyre. / PressOnline.al