Në një nga trendet më të pazakonta që po vijnë nga Kina, gjithnjë e më shumë të rinj po përdorin biberonë për të rritur. Jo, nuk bëhet fjalë për metaforë apo ndonjë shaka në rrjetet sociale, por për biberonë të vërtetë plastikë, të dizajnuar posaçërisht për të rritur. Përdorimi i tyre? Qetësim emocional, reduktim i stresit, ankthit dhe lodhjes mendore që prek gjithnjë e më shumë brezin e ri.

Në platformat online si Taobao dhe JD.com, shitësit raportojnë mijëra shitje çdo muaj. Produktet reklamohen si “mjete për lehtësim emocional” ose “ndihmë për relaksim”, dhe grupi kryesor i synuar janë të rinjtë në të njëzetat që ndihen të ngarkuar psikologjikisht.

“E përdor kur punoj nga shtëpia – kur shkruaj email, përgatis prezantime, ose kur nuk më zë gjumi,” ka thënë një studente 24-vjeçare nga Shangai. “Duket budallallëk, por më ndihmon të qetësohem.”

Psikologët e lidhin këtë sjellje me fenomenin e regresionit – një mekanizëm psikologjik përballues, ku individi, përballë stresit apo traumës, rikthehet në sjellje që lidhen me fëmijërinë. Në këtë rast, përdorimi i biberonit simbolizon një periudhë të pafajshme, pa përgjegjësi e presion.

“Regresioni nuk është gjithmonë negativ – ndonjëherë është mënyra e trurit për të përballuar realitetin,” – shpjegon një psikolog klinik nga Pekini. “Problemi lind kur ky mekanizëm kthehet në arratisje të përhershme nga realiteti.”

Ndërsa një pjesë e opinionit publik e shikon këtë trend me shqetësim, të tjerë e cilësojnë si një modë të padëmshme që do të shuhet si shumë fenomene të tjera në internet. Megjithatë, përballë lodhjes mendore të thelluar nga presioni akademik, kërkesat për punë dhe pritshmëritë familjare, duket se për shumë të rinj biberoni është kthyer në një mënyrë për të gjetur qetësi.

Për momentin, prodhuesit po përfitojnë nga trendi duke ofruar biberonë për të rritur në forma, ngjyra dhe dizajne të ndryshme – madje edhe me mbishkrime humoristike. A do të përhapet ky?!