Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një thikë në Prizren.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se fillimisht viktima ishte dërguar në emergjencën e spitalit rajonal të Prizrenit.

“Sipas mjekëve, viktima, mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”.

“Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati”, tha Bytyqi.

Tutje, ai u shpreh se njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e të dyshuarit.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme”, tha Bytyqi.