Barcelona do të debutojë në La Liga të shtunën e ardhshme me një ndeshje të vështirë ndaj Mallorcës, por trajneri Hansi Flick ende nuk është i sigurt për lojtarët që do të ketë në dispozicion, pasi çështja e regjistrimeve mbetet e pazgjidhur.

Klubi po punon intensivisht për të regjistruar disa futbollistë që aktualisht janë të paregjistruar, me fokus kryesor te portieri Joan Garcia.

Regjistrimi i tij është thelbësor, pasi në mungesë të tij portieri i dytë Inaki Peña do të jetë i detyruar të luajë, duke pasur parasysh se Ter Stegen është i lënduar dhe Szczesny nuk është regjistruar ende.

Vendimi i Ter Stegen dhe pritja për miratimin e La Ligës

Një lajm i mirë erdhi nga vendimi i Ter Stegen për të lejuar klubin të dërgojë raportin mjekësor në La Liga, në mënyrë që të vendoset nëse mungesa e tij tejkalon katër muaj dhe nëse mund të përdoret një pjesë e pagës së tij për të regjistruar Joan García.

Megjithatë, mbetet e paqartë se kur La Liga do të marrë vendimin përfundimtar, ndërsa klubi është i bindur se do të arrijë t’i kryejë këto procedura brenda kësaj jave, që të jetë gati për ndeshjen në Mallorca.

Fjala e presidentit Laporta për regjistrimet

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, theksoi pas ndeshjes ndaj Comos se po punohet shumë për të realizuar regjistrimin e lojtarëve, përfshirë edhe Joan García, duke treguar optimizëm, por pa dhënë garanci përfundimtare.

Problemi nuk është vetëm te Ter Stegen, pasi sipas rregulloreve mund të zëvendësohet vetëm një lojtar i dëmtuar, dhe për këtë arsye klubi po pret miratimin nga auditori për zonën VIP në Spotify Camp Nou, që do t’i mundësojnë Barcelonës të rikthehet në rregullin 1:1 dhe të krijojë vend për regjistrimin e lojtarëve të tjerë si Marcus Rashford.

Përveç këtyre, mbeten për t’u regjistruar edhe Szczesny, Roony Bardghji, Gerard Martín, Héctor Fort dhe Bernal.

Nxitimi për rinovime dhe sfidat me Camp Nou

Në të njëjtën kohë, klubi po nxiton edhe me rinovimet dhe marrëveshjet për Camp Nou, ku synimi është të jetë gati për ndeshjen më 14 shtator ndaj Valencias.

Megjithatë, ky është një proces i vështirë, pasi Këshilli i Qytetit ka identifikuar 200 mangësi që pengojnë marrjen e licencave të nevojshme për stadiumin, duke krijuar kështu një tjetër sfidë për klubin në prag të sezonit të ri.