Një deklaratë e përbashkët mbi takimin ekonomik dhe tregtar Kinë-ShBA në kryeqytetin suedez Stokholm u publikua të martën, disa orë para përfundimit të afatit të marrëveshjes për “armëpushimin” tregtar midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Sipas deklaratës së publikuar nga Agjencia e Lajmeve “Xinhua”, Kina do të vazhdojë të pezullojë tarifat shtesë për 90 ditë që nga 12 gushti, duke ruajtur tarifat prej 10 %. Kina gjithashtu do të marrë masat e nevojshme për të pezulluar ose hequr kundërmasat jotarifore kundër ShBA-së.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjatur pezullimin e tarifave ndaj Kinës për 90 ditë deri më 10 nëntor.

Qeveria e Republikës Popullore të Kinës dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke mbajtur parasysh Deklaratën e Përbashkët mbi Takimin Ekonomik dhe Tregtar Kinë-ShBA në Gjenevë më 12 maj 2025, takimet dypalëshe në Londër më 9 e 10 qershor 2025 dhe në Stokholm më 28 e 29 korrik 2025, si edhe premtimet e bëra në Deklaratën e Përbashkët të Gjenevës, ranë dakord për ndërmarrjen e veprimeve të mëposhtme deri më 12 gusht 2025:

1. ShBA-ja do të vazhdojë të rishikojë vendosjen e tarifave shtesë ndaj mallrave kineze (duke përfshirë mallrat e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos) të përcaktuar në Urdhrin Ekzekutiv Nr.14257 të 2 prillit 2025, duke pezulluar tarifat prej 24 % për 90 ditë që nga 12 gushti 2025. Njëkohësisht ruhen tarifat e mbetura prej 10 % ndaj këtyre mallrave sipas Urdhrit të sipërpërmendur.

2. Kina do të vazhdojë të rregullojë zbatimin e tarifave shtesë mbi mallrat amerikane të përcaktuar në Njoftimin Nr. 4 të vitit 2025 të Komisionit të Tarifave Doganore të Këshillit të Shtetit, duke pezulluar tarifat prej 24 % për 90 ditë që nga 12 gushti 2025 dhe duke ruajtur tarifat e mbetura prej 10 % mbi mallrat amerikane. Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme administrative për të pezulluar ose hequr kundërmasat jotarifore të marra ndaj ShBA-së, sipas Deklaratës së Përbashkët të Gjenevës.