Me rastin e 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Tetova u mbush me energji dhe entuziazëm nga të rinjtë e Besëlidhjes së Aleancës Kombëtare për Integrim – Tetovë. Aktiviteti u organizua në një atmosferë pozitive, duke reflektuar frymën e angazhimit rinor dhe shpresën për një të ardhme më të mirë për Tetovën.
Kandidati për kryetar komune të Tetovës, Bajram Rexhepi nga BDI-ja, i cili ishte pjesë e aktivitetit, u shpreh se të rinjtë përfaqësojnë jo vetëm të ardhmen, por edhe forcën ndryshuese të së tashmes.
“Sonte, Tetova me një energji ndryshe! Me të rinjtë e Besëlidhjes së Aleancës Kombëtare për Integrim – Tetovë, shënuam 12 Gushtin – Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. E ardhmja nuk vjen vetë, ajo ndërtohet nga guximi dhe ëndrrat e brezit të ri. Janë një gjeneratë që nuk pret, por vepron, dhe kjo është arsyeja pse besoj se Tetova ka përpara ditë më të mira”, shkroi Rexhepi në rrjete sociale.
Ngjarja u vlerësua si një dëshmi e gatishmërisë së të rinjve për të marrë pjesë aktive në proceset shoqërore dhe politike, duke dëshmuar se rinia mbetet një faktor kyç për zhvillimin dhe integrimin e Tetovës.