Barcelona ka një mision për të balancuar llogaritë e saj në përputhje me rregullat e Fair Play Financiar dhe po kërkon zgjidhje për lojtarët që nuk janë pjesë e projektit afatgjatë. Një prej tyre është Hector Fort, i cili mund të largohet këtë gusht në formë huazimi.

19-vjeçari, ka një rol dytësor në krahun e djathtë të mbrojtjes pasi që konkurrenca e fortë në këtë repart i ka kufizuar hapësirat për minuta loje.

Në këtë pozicion, Jules Kounde është titullar i padiskutueshëm, ndërsa Eric García ofron një alternativë të besueshme falë shkathtësisë së tij.

Kjo e shtyn Fortin të kërkojë më shumë hapësira jashtë Camp Nou.

Sipas të përditshmes Marca, një nga opsionet për të është transferimi në Ligue 1. Megjithatë, për talentin e ri është shfauqr një mundësi brenda La Ligas.

Mallorca ka shprehur interes për mbrojtësin e ri. Klubi spanjoll ka bashkëpunuar edhe më parë me Barcelonën, duke marrë në huazim mesfushorin Pablo Torre.

Në rastin e Fortit, Barcelona preferon një marrëveshje huazimi në vend të shitjes, duke e parë 19-vjeçarin si një lojtar me potencial për të ardhmen.

Diskutimet mes klubeve po vazhdojnë, teksa Fort pritet të t’i bashkohet Mallorcas si huazim për tu rritur dhe fituar më shumë përvojë.