Dy persona u ndaluan sot, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, në pikën kufitare në mes të Serbisë dhe Hungarisë-Horgosh. Në këtë njoftim – në të cilin nuk përmendet nacionaliteti i tyre – thuhet se personat me inicialet X.E dhe B.E “dyshohen për krime lufte në Kosovë”, më 1999.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla thotë se arrestimet që kanë ndodhur së fundmi janë shqetësuese. Po ashtu, ai u bën thirrje edhe një herë qytetarëve nga Kosova që të shmangen udhëtimet përmes territorit të Serbisë.

“Ne i kemi lutur dhe ju bëjmë apel edhe sot të gjithë qytetarëve të vendit, e sidomos ata që kanë qenë në luftë apo që kanë kontribuar në luftën tonë në forma të ndryshme, Serbia e ka dokumentacionin, e ka regjistrat e dinë se kush çfarë ka bërë në vendin tonë. Prandaj të mos kalohet andej sepse nuk do të ketë kush që të ju bie pas….Serbia po gjen forma që të bëjë këtë presion dhe të mos e ndalë asnjëherë këtë luftë speciale që nga paslufta. Ne jemi të shqetësuar shumë dhe ju bëjmë prapë thirrje që të mos kalojnë ka Serbia, me mendimin që Serbia nuk është ajo më qysh ka qenë, ju e dini që sot Serbinë e udhëheq një ish-ministër i kohës së Millosheviqit”, deklaron Syla për KosovaPress.

Ndalimi i dy personave sot vjen në kohën kur janë shpeshtuar arrestimet e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Së fundmi është raportuar për disa arrestime të shqiptarëve nga autoritetet serbe. Lulzim Halili është arrestuar më 22 korrik – për të cilin Serbia pretendoi se ka qenë pjesë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. OVL-UÇK ka mohuar një gjë të tillë.

Po ashtu, së fundmi në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë është ndaluar Behar Preniqi,. Lidhur me këtë rast, ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë sqarim për ndalimin e tij.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se këto arrestime “janë për arsye hakmarrëse”.

“Duket qartë që arrestimet e fundit që kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur për arsye të sundimit ligjit por për arsye hakmarrëse. Mendoj që qytetarët e Kosovës duhet të shmangin Serbinë si rrugë tranziti. Mendoj që arrestimet që kanë ndodhur muajve të fundit kryesisht kanë qenë kryesisht arrestime hakmarrëse, por mbase edhe tendencë për shkëmbime të të arrestuarve të cilët janë brenda institucioneve të rendit dhe ligjit në Kosovë, sidomos ato për rastin Banjska apo të ngjashme. Qytetarët e Kosovës në përgjithësi duhet të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë, por sidomos ish-pjesëtarët e UÇK-së, për arsye që ata mund të jenë një target”, shprehet ai.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami kërkon që të merren parasysh thirrjet e autoriteteve vendore për shmangie të udhëtimeve përmes territorit të Serbisë.

“Serbia në krye me Vuçiqin dhe aparatin e tij shtetëror është pushtet hakmarrës dhe për dallim nga institucionet e Republikës së Kosovës që kur kryejnë një arrestim kanë prova dhe fakte të mjaftueshme se qoftë kanë kryer ndonjë vepër penale apo qoftë kanë marrë pjesë në luftërat në Kosovë mbi masakrat dhe të njëjtën gjë e bën Serbia, por ata nuk i kryejnë se kanë fakte por i bëjnë në shenjë hakmarrje për motive politike. Dhe thirrjet që vazhdimisht kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës, jo vetëm tani në këtë kohë por që nga përfundimi i luftës që ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dihen me emër dhe mbiemër dhe unë shumë besoj që Serbia i ka në data-bazat e saj secilin pjesëtar të UÇK-së por edhe të policisë sonë apo të FSK-së, por edhe eventualisht të AKI-së, që të jenë të kujdesshëm që të mos lëvizin nëpër Serbi, që të mos ja jepin rastin dhe mundësinë që ata të arrestohen për diçka që madje edhe nuk kanë qenë”, thotë ai.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje, disa herë, qytetarëve që të shmangen udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit një muaj, me pretendimet se ka kryer “vrasje të rëndë”. Më pas, atij i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera.