Një familjar i kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ngritur akuza publike ndaj vendimeve për punësim në institucionet lokale. Në një koment të publikuar në rrjetet sociale, Ali Kasami shpreh indinjatën e tij për refuzimin e aplikimit për punë të bashkëshortes së tij, duke thënë se kur ka kërkuar shpjegim për këtë vendim, është ballafaquar me përgjigjen: “Çka keni bërë për Besën?”
Ai e cilëson këtë koment si të papërshtatshëm dhe jo profesional, dhe kërkon që proceset e punësimit të mos bazohen në lidhje partiake apo personale, por në aftësi dhe meritë.
Ali Kasami kujton kontributin e tij në shoqëri, përfshirë pjesëmarrjen në luftë, duke thënë se nuk është e drejtë që këto sakrifica të injorohen për shkak të lidhjeve politike.
Ja teksti i plotë i tij:
“I nderuar z. Bilall Kasami,
Dua të shpreh shqetësimin tim në lidhje me vendimin tuaj për refuzimin e aplikimit të shoqes time për një vend pune. Kur pyeta për arsyet, më u përgjigjët duke përmendur: “Çka keni bërë për Besën?”, një koment që e ndiej si të papërshtatshëm dhe jo relevant për situatën.
Dua t’ju bëj me dije se kam kontribuar në mënyra të ndershme dhe të vështira, duke përfshirë edhe periudha të rënda siç është pjesëmarrja ime në luftë, dhe nuk e konsideroj të drejtë që kjo të përdoret si argument kundër një shoqeje që kërkon një mundësi pune.
Shpresoj që në të ardhmen të merren vendime mbi bazë aftësive dhe meritës dhe jo mbi lidhje personale ose paragjykime të kaluara.
Me respekt,
Ali Kasami