Presidenti amerikan, Donald Trump, synon të zhvillojë një takim trepalësh më 22 gusht me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.

Siç raporton faqja e lajmeve Axios, pas samitit të tij të premten me presidentin rus në Alaskë, Trump gjatë një telefonate u tha udhëheqësve evropianë se dëshiron të organizojë një takim me Putinin dhe Zelenskyyn.

Trump gjatë ditës së nesër është planifikuar të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyyn dhe ka ftuar udhëheqësit evropianë të marrin pjesë.

Putin ende nuk e ka konfirmuar publikisht pjesëmarrjen e tij në samitin e propozuar.

Të premten, Trump dhe Putin mbajtën një samit në Anchorage të Alaskës, duke shënuar takimin e parë ballë për ballë midis dy udhëheqësve që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Gjithashtu kjo shënoi herën e parë që Putini shkel në tokën amerikane për bisedime me një president amerikan që nga viti 2007.

Putin gjatë një konference për media pas samitit tha se ai dhe Trump kishin ardhur për të arritur një “mirëkuptim”.

Trump, nga ana e tij, tha se ata bënë “disa përparime”, por pranoi se nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm.