Edhe pse zgjedhjet lokale tashmë janë shpallur dhe vendi ndodhet zyrtarisht në periudhë parazgjedhore, komunat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të shpallin tenderë për projekte infrastrukturore. Vetëm në një ditë janë hapur dhjetëra procedura që do të zgjasin deri në shtator, kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, informon PressOnline.al

Komuna e Tetovës dominon listën me më shumë tenderë: projekt për infrastrukturë të rrugëve lokale në rrugën K. J. Pitu, rikonstruim i rrugës Lenin, kraku i rrugës Bllagoja Toska, Tetova 2, rikonstruim i rrugës M.P. Derrala, rikonstruim i rrugës Kiro Ristoski – DRNC pjesa II, rrugët 176 dhe 107 në Tetova 2, si dhe rikonstruim i rrugës nr. 4.

Komuna e Probishtipit ka shpallur tender për rikonstruimin e rrugës lokale nga fshati Stubolli i Poshtëm deri në Stubollin e Epërm, si dhe për ndërtimin e rrugës “3” në lagjen Kallnishte. Në Veles është hapur tender për hartimin dhe rishikimin e dokumentacionit projektues për rrugë dhe infrastrukturë, ndërsa në Bosilevë kërkohet kompani për rikonstruimin e një rruge në Monospitovë.

Komuna e Shtipit ka hapur tender për furnizim dhe montim të shtresës elastike – tartan në lagjen “Makedonka”, ndërsa në Makedonska Kamenicë është shpallur tender për rikonstruimin e rrugës lokale në fshatin Kostin Doll me gjatësi 530 metra. Po ashtu, në fshatin Sekirnik të Bosilevës është planifikuar rikonstruimi i rrugës, ndërsa Komuna e Butelit kërkon kompani për rikonstruimin e hapësirës së parkimit në rrugën “Kosturska” numrat 2, 4, 6 dhe 8.

Këto tenderë u shpallën një ditë pasi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i rikujtoi të gjitha institucionet se pas shpalljes së zgjedhjeve vlejnë rregulla të veçanta, përfshirë ndalesën e nisjes së investimeve të reja në projekte infrastrukturore dhe objekte për veprimtari shoqërore. Përjashtim bëhet vetëm në rastet kur mjetet janë të parapara në buxhetin dhe programin për vitin aktual. Rregullat janë të përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Kodin Zgjedhor.