Shefi i shtabit të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në skenën mediatike, duke theksuar se VLEN dhe qytetarët e Tetovës kanë dëshmuar respekt të plotë për lirinë e fjalës dhe për mediat.
“Tetova dhe VLEN ka dëshmuar se frymon me liri të plotë të fjalës, demokracisë dhe respekt maksimal për mediat dhe lirinë e tyre”, deklaroi Azizi.
Megjithatë, ai theksoi se shpifjet dhe militantizmi politik nuk mund të paraqiten si shprehje e lirë.
“Por të lejosh të bëhet shpifja, mercenarizmi dhe militantizmi i BDI-së fjalë e lirë dhe funksionim mediatik, përveç se është qesharake dhe ironike, është nënçmim ndaj medias dhe krim ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë”, shtoi Azizi.
Por, jo më larg se në muajin qershor, gazetari Nevrij Ademi denonoi publikisht se është kërcënuar me jetë, duke theksuar se ndaj tij po zhvillohet një fushatë e organizuar nga qarqe politike të lidhura me pushtetin aktual në Maqedoninë e Veriut. Ai ka deklaruar se kërcënimet përfshijnë kurthe të ulëta morale, presion fizik dhe inskenime që prekin kufijtë e atentatit.
“Emrat i di. Veprimet po i dokumentoj,” thekson Ademi, duke shtuar se për rastin do të njoftojë zyrtarisht Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën e Gjermanisë, përfaqësuesit e BE-së në Shkup, si dhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
Ai e konsideron këtë akt jo vetëm një sulm personal, por një kërcënim serioz ndaj lirisë së fjalës dhe një sinjal alarmues për mënyrën se si trajtohen zërat kritikë në vend. “Të më heshtni, duhet të më ndalni gjallë. Dhe kjo nuk do të ndodhë!” – përfundon ai me vendosmëri. Jo zyrtarisht, prapa këtyre kërcënimeve fshihen pikërisht zyrtarë të VLEN-it.