Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit aktual të Drejtësisë, Igor Filkov, i cili ka thënë se “ka ardhur koha për ta reviduar mekanizmin e Badenterit”, transmeton Flaka Media

“Çfarë pushteti kriminel është ky i vLEN–VMRO DPMNE-së! Pasi kontestuan çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët – dygjuhësinë, Balancuesin, regjistrimin e popullsisë, ofendimet e përditshme, zeroizimin e punësimeve, funksionarë minimalë ose pa asnjë peshë – shkuan aq larg, sa edhe vetë pushteti kriminal i Millosheviqit do t’ua kishte zili. Tash duan të rishqyrtojnë edhe votimin e dyfishtë, gjegjësisht të ashtuquajturin Badenter”, tha Lloga.

Ai shtoi se gjuha e qeverisë aktuale që nga fillimi ka qenë “destabilizimi”, por se falë pjekurisë së faktorit politik shqiptar dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar është shmangur eskalimi i provokimeve.
“Konflikti i vitit 2001 u ndal falë përpjekjeve edhe të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët sollën pakon minimale të të drejtave të shqiptarëve. Të kesh iluzionin fashist se je i zgjedhur për të ridefinuar shtetin sipas shijeve subjektive është naivitet dhe amoralitet në variantin më të mirë, e dashakeqësi në variantin më të keq”, theksoi Lloga.

Sipas tij, veprimet e qeverisë gjatë një viti janë një “koleksion i qartë” që dëshmojnë përpjekjet për të përçarë shtetin dhe për ta ndarë atë sipas interesave të ngushta politike.
“Maqedonia e Veriut është shtëpia jonë. Është e të gjithëve ne dhe jo e ca oligarkëve apo udbashëve të djeshëm të maskuar si politikanë apo biznesmenë”, nënvizoi ai.

Lloga i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë që të tërheqë menjëherë deklaratat dhe të kërkojë falje:
“Ministri i paaftë e dembel, që nuk ka lëvizur asgjë për një vit, duhet urgjentisht të tërheqë këto fjalë dhe të kërkojë falje. Ndryshe, ai është lajmëtar ogurzi për popullin dhe shtetin tonë. Ky ministër duhet thirrur në Prokurori, sepse po sfidon rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit që aksidentalisht e ka bërë Ministër të Drejtësisë”, përfundoi ish-ministri i Drejtësisë. Flaka Media