E vlerësoj se është mirë që dolëm në vendin e vetë tubacionit, gjegjësisht trasenë e hidrosistemit Gjavato, për t’u bindur personalisht dhe për të parë se çfarë ka ndodhur në më shumë se dy dekada, që nga ndërtimi i këtij hidrosistemi dhe që nga vendi i ngjarjes mund të bëjmë një lloj diagnostikimi të caktuar sipas të cilit do të veprojmë më tej.

Ashtu siç tha edhe zëvendësministrja në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Llashkoska, janë detektuar vende ku kemi tuba të plasura, praktikisht tuba që duhet ta çojnë ujin deri te rezervuari, prej ku me pompa të tjera më pas uji do të transportohet deri në Liqenin e Dojranit, që do të thotë se po harxhohen resurse për një sistem që 3-4 vitet e fundit ka funksionuar me tubacion të dëmtuar.

Falë një kompanie socialisht përgjegjëse, është ndërhyrë në riparimin e këtyre defekteve dhe do të përfundohet së shpejti, unë pres që në ditët në vijim të riparohen këta tubacione, gjë që do të rrisë ndjeshëm kapacitetin e ujit që do të mbërrijë te rezervuari, prej ku me pompa të tjera do të drejtohet drejt Liqenit të Dojranit.

Dua të përmend që bëhet fjalë për 2 pompa zhytëse të puseve, siç mund ta shihni këtu, kapaciteti i përgjithshëm është 10, ndërsa 8 të tjerat nuk funksionojnë. Këto 2 kanë kapacitet nga 100 litra në sekondë secila, megjithëse kapaciteti i përgjithshëm i hidrosistemit është 1 metër kub, gjegjësisht 1.000 litra në sekondë.

Në periudhën që vijon, planifikojmë së shpejti, të vëmë në funksion të paktën 4, e më pas edhe 2 të tjera shtesë, me çka vlerësojmë se do të shfrytëzohet plotësisht kapaciteti i sistemit, në mënyrë që sa më shpejtë Liqeni i Dojranit të marrë pamjen që meriton ta ketë dhe që të gjithë qytetarët të mund ta shfrytëzojnë.

Por, jo vetëm qytetarët nga ky tubacion, në periudha të caktuara të vitit, me ujë furnizohet edhe qyteti i Bogdancit, por edhe bujqit ja, siç mund të shihni, ndoshta për shkak të mungesës së ujit, një pjesë e madhe e fushave mbetet e papunuar, kjo do të thotë më pak ushqim i prodhuar dhe më shumë ushqim i importuar.

Duam t’i qasemi kësaj çështjeje në mënyrë sistematike dhe kështu edhe po veprojmë. Në këtë drejtim të qasjes sistematike, përveç këtyre puseve dhe sanimit të tubacioneve dhe pompave, do të rregullohen edhe ato pompa shtytëse të cilat e “shtyjnë”, kushtimisht thënë, ujin drejt Liqenit të Dojranit.

Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të miratojmë vendim që fabrika për pajisje dhe pjesë, në kuadër të KXE Manastir, të çmontojë dy prej tyre, t’i riparojë dhe më pas t’i rimontojë. Në komunikim me inxhinierët e KXE Manastir mora informacion se brenda 10 ditëve nga çmontimi deri në montim ato do të jenë plotësisht të riparuara.

Po ashtu, erdhën inxhinierë në vendngjarje për të skanuar hapësirën, kjo është një tokë që është pronë e Republikës së Maqedonisë, dhe këtu në një të ardhme të afërt do të instalohen panele diellore, sepse faturat për energjinë elektrike janë në nivel prej 200.000 euro në muaj, që do të thotë 2.500.000 euro në vit.

Me instalimin e atyre paneleve diellore dhe sistemeve me bateri, vlerësuam se fuqia e instaluar do të jetë rreth 2 megavatë dhe 4 megavat orë nga sistemet me bateri, faturat do të ulen në mënyrë dramatike dhe kursimet do të jenë të mëdha dhe mjetet e kursyera do të përdoren për mirëmbajtjen e tubacioneve të ujit dhe për mirëmbajtjen e vetë hidrosistemit Gjavato dhe me këtë do të mundësohet qasje më e madhe për bujqit në ujë për ujitjen e tokave bujqësore.

Kështu që po i qasemi riparimit të hidrosistemit Gjavato në mënyrë sistematike dhe ai do të jetë së shpejti plotësisht operacional dhe funksional.

Ju falënderoj juve, përfaqësuesve të mediave, që edhe sot ishit këtu me ne në vendngjarje, për të parë vetë se për çfarë bëhet fjalë dhe si ka vazhuar neglizhenca sistematike me vite gjatë 3-4 viteve të fundit edhe pse punonjësit e hidrosistemit i kanë apeluar Qeverisë së kaluar, nuk kanë hasur në përgjigje nga ana e institucioneve kompetente.