Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, e ka cilësuar urinë e shpallur në Gaza nga OKB si “katastrofë e shkaktuar nga njeriu” dhe “moralisht të papranueshme”, duke akuzuar Izraelin se ka penguar hyrjen e ndihmave humanitare.

Raporti i mekanizmit ndërkombëtar IPC konfirmoi për herë të parë se në qytetin e Gazës dhe zonat përreth, ku jetojnë rreth 500 mijë persona, ka shpërthyer uria masive. Më shumë se gjysma e popullsisë së Rripit tashmë përballet me nivele ekstreme të pasigurisë ushqimore, raporton “The Telegraph”.

Lammy bëri thirrje për “armëpushim të menjëhershëm e të përhershëm” për të mundësuar ndihmat dhe për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa paralajmëroi se gjendja e fëmijëve është veçanërisht alarmante.

Izraeli i ka hedhur poshtë konstatimet e IPC-së, duke mohuar se ka uri në Gaza, por OKB paralajmëron se situata mund të përshkallëzohet edhe në jug të enklavës në javët e ardhshme.