KFOR-i ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, me kërkesë të institucioneve të Kosovës përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Sipas njoftimit, ndihma e KFOR-it ka përfshirë si aktivitetet e vëzhgimit ashtu edhe ndërhyrjet direkte në terren. Njësia amerikane Task Force Aviation, e cila vepron në kuadër të Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shuarjen e zjarreve përmes operacioneve ajrore.

Më 18 gusht në komunën e Gjakovës, ekuipazhi realizoi 12 hedhje uji brenda pesë orësh. Më 11 gusht në komunën e Kamenicës, u ndërhy 11 herë gjatë një fluturimi gjashtëorësh.

Më 26 korrik në Mitrovicë, u kryen 18 operacione ajrore për shuarjen e zjarrit brenda katër orësh. Më 25 korrik në Drenas, KFOR ndërhyri 39 herë gjatë një periudhe prej 20 orësh. Në deklaratë theksohet se KFOR mbetet e gatshme, brenda mundësive dhe kapaciteteve të saj, të mbështesë në parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente në Kosovë.

KFOR thotë se vazhdon ta zbatojë mandatin e saj, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre si përgjegjës për sigurinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume