Prokuroria Publike Shkup ka hapur procedurë kundër një personi të dyshuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” sipas nenit 131 të Kodit Penal.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 23 gusht në lagjen Autokomandë.

“E dëmtuara kishte shkuar për t’u takuar me të dyshuarin, me të cilin më parë kishte pasur mosmarrëveshje personale. Fillimisht ai e ka fyer rëndë, ndërsa më pas ka marrë një gajbë plastike të mbushur me shishe qelqi dhe e ka goditur në kokë. Gruaja ka filluar të gjakoset dhe e trullosur ka arritur të thërrasë policinë. Me autoambulancë është dërguar në spital, ku mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për të mbrojtur viktimën nga ndonjë rrezik i ri, prokurori publik ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup që ndaj të dyshuarit të caktohen masa kujdesi: ndalim afrimi dhe kontakti me të dëmtuarën, marrje të përkohshme të pasaportës dhe detyrim për paraqitje periodike te organet kompetente.