Kur Zeqirja Ibrahimi thoshte: Në komunën e Tetovës me Bilall Kasamin ka shumë korrupsion dhe fshatarët e Llercës janë me kontrata!

Dikur e akuzonte rëndë, e quante të paaftë dhe i rrëzoi shumicën në Këshillin e Komunës së Tetovës, duke bërë që qytetarët në vend të pushimeve verore të përfshiheshin në fushatë zgjedhore. Këto ishin disa nga akuzat që kreu i sotëm i Alternativës, Zeqirja Ibraimi, i adresonte dikur tashmë partnerit të tij në koalicionin VLEN, Bilall Kasamit shkruan Tetovasot.
Të dy dikur ishin pjesë e një partie, por më pas u ndanë, për t’u ribashkuar sot në një koalicion të përbashkët. Megjithatë, kujtesa politike është ende e freskët.
Ibraimi, në kohën kur Tetova drejtohej nga Kasami, ngrinte pyetje të forta: “Kur vjen në Tetovë e sheh se ky qytet ende nuk ka ujë, ende nuk ka parkingje, ka plot qen në rrugë, ka mbeturina që askush nuk i mbledh, ka gropa kudo dhe mbi të gjitha, ka korrupsion. Këta që erdhën, çfarë ndryshuan nga ata që ikën?”
Sipas tij, i vetmi ndryshim ishte tek listat e kontratave: në vend të militantëve të BDI-së, aty ishin futur një numër i madh banorësh të fshatit Llercë.
Sot, megjithë këtë histori akuzash e përplasjesh, Ibraimi dhe Kasami ndajnë të njëjtën front politik nën ombrellën e VLEN-it.Tetovasot