Kryediplomati belg paralajmëron për një “krizë të madhe” nëse qeveria nuk e ashpërson qëndrimin ndaj Izraelit

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, paralajmëroi se qeveria përballet me rrezikun e një “krize të madhe” nëse nuk merr një qëndrim më të vendosur ndaj Izraelit dhe nuk ecën përpara me njohjen e Palestinës, transmeton Anadolu.
“Nëse qeveria nuk mban një qëndrim më të ashpër ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qeveria izraelite ose nuk njeh Palestinën, ekziston rreziku i një krize të madhe”, tha Prevot për të përditshmen “De Standardaard”.
Ai tha se nuk e përjashton bllokimin e vendimeve kyçe të qeverisë nëse çështja mbetet e pazgjidhur.
Partia qendrore “Les Engages” e Prevot, së bashku me partitë qeverisëse CD&V dhe Vooruit, po shtyn për një qëndrim më të fortë ndaj Izraelit dhe njohjes së Palestinës. Por partia nacionaliste flamande N-VA dhe partia liberale MR mbeten kundër kësaj.
Ai akuzoi kryetarin e MR, Georges-Louis Bouchez, se po vë në rrezik besueshmërinë e Belgjikës duke bllokuar iniciativat. “Është e papranueshme që qëndrimi i një personi të rrezikojë reputacionin e të gjithë vendit”, tha ai.
Ai theksoi se Gaza mbetet një “çështje thelbësore” dhe konfirmoi se do të paraqesë propozime gjatë takimit të së mërkurës me Kryeministrin Bart De Wever dhe zëvendëskryeministrat.
Propozimet përfshijnë njohjen e Shtetit të Palestinës, një ndalim për ministrat izraelitë Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich që të hyjnë në Belgjikë, kufizime në importet nga territoret e pushtuara nga Izraeli dhe një ndalim për fluturimin dhe tranzitin e armëve të destinuara për Izraelin.
“Nuk mund ta imagjinoj Belgjikën të bashkohet me klubin e vogël të vendeve që nuk e njohin Palestinën. Nëse e humbasim këtë barkë, do të jetë katastrofike për imazhin ndërkombëtar të Belgjikës,” shtoi Prevot.
Më parë, kreu i CD&V, Sammy Mahdi, kërcënoi gjithashtu të bllokojë dosjet qeveritare nëse Belgjika nuk do të miratojë një qëndrim më të ashpër.
De Wever pritet gjithashtu të mbledhë Kabinetin kryesor të ministrave javën e ardhshme për të diskutuar atë që zyra e tij e përshkroi si “situata gjeopolitike”, duke përfshirë luftën në Gaza dhe qëndrimin e Belgjikës ndaj Palestinës.