Ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, është gjobitur për tejkalim të shpejtësisë pasi publikoi në rrjetet sociale një video ku shihet duke vozitur me 224 km/h në autostradë, njoftoi portali informativ turk T24.

Uraloğlu e shpërndau videon për të promovuar autostradën Ankara–Niğde, por në pamje duket qartë se ka vozitur shumë mbi kufirin e lejuar prej 140 km/h.

Postimi shkaktoi reagime të ashpra në rrjetet sociale, ku përdoruesit e kritikuan ministrin për mosrespektim të rregullave të qarkullimit. “Pse nuk i respektoni kufizimet e shpejtësisë, zoti ministër?”, pyeti një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Ky është një vend ku ministri nuk i respekton kufizimet, ndërsa qytetarët gjobiten pa problem.”

Pas reagimeve, Uraloğlu konfirmoi se ishte regjistruar nga radari dhe gjobitur për tejkalim shpejtësie. “U ula pas timonit për ta kontrolluar autostradën Ankara–Niğde dhe për një moment, pa vetëdije, e tejkalova shpejtësinë. Respektimi i kufizimeve është detyrim për të gjithë,” shkroi ai, duke shtuar se në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.