Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka goditur fort politikën shtetërore të Beogradit, duke inicuar krijimin e një Fondi të veçantë për zhvillimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kamberi ka kërkuar nga Qeveria serbe një fond vjetor prej 10 milionë euro, i cili do të përdoret për zhvillimin e infrastrukturës, hapjen e vendeve të punës, subvencionimin e bujqësisë, arsimin dhe mbështetjen e jetës shoqërore e sportive në Luginë.
Ai tha se për dekada Serbia vetëm ka propaganduar për zhvillimin e Luginës, ndërsa realiteti është se këto komuna janë lënë ndër më të varfrat e vendit.
Analisti Hyseni: “Realitet makabër, Serbia hipokrite”
Analisti politik Nehat Hyseni e ka vlerësuar nismën e Kamberit si një akt guximi që nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës jetojnë nën diskriminim të rëndë ekonomik dhe politik. Serbia kërkon të drejta maksimale për serbët në Kosovë, por ua mohon ato shqiptarëve të vet”, tha Hyseni.
Ai e quajti nismën e Kamberit një “denoncim publik” dhe përshëndeti faktin që deputeti shqiptar nuk heziton të përdorë gjuhën shqipe e flamurin kombëtar në Kuvendin e Serbisë.
Refik Hasani: “Pa presion ndërkombëtar, fondi nuk kalon”
Veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, deklaroi se shuma prej 10 milionë euro është modeste krahasuar me mungesën e investimeve prej mbi 25 vitesh.
Ai kërkoi që kërkesa për zhvillimin e Luginës të adresohet edhe në Bruksel e OKB, duke shfrytëzuar fondet IPA të BE-së.
Sipas tij, Luginës i duhet status i Zonës së Lirë Ekonomike, me mbështetje nga donatorë ndërkombëtarë, pasi Serbia vetë nuk ka vullnet për ta bërë këtë.
“Pa presion të fortë ndërkombëtar, Beogradi nuk do të miratojë kurrë një fond të tillë”, tha Hasani.