Gjatë intervistës në emisionin Arb Debat në Tv Arbëria, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari u shpreh se kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka përdorur me zgjuarsi fragmentimin e koalicionit VLEN për të krijuar avantazh politik. Ai tha se qasja e Mickoskit ishte e bazuar në raportet individuale me liderët shqiptarë, duke dobësuar kështu pozicionin e përbashkët.

“Mickoski është super inteligjent dhe e pa se ne ishim si një orkestër e desinkronizuar. Ai e shfrytëzoi atë rast duke komunikuar veçmas me secilin lider dhe duke mbajtur raporte miqësore. Kjo e dobësoi fuqinë e bllokut shqiptar në tërësi.”, deklaroi Taravari.

Disbalanca politike – Taravari: Nga 30 deputetë shqiptarë në Kuvend, vetëm 11 janë pjesë e pushtetit

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari në intervistën për Tv Arbëria deklaroi që shpërndarja aktuale e pushtetit mes deputetëve shqiptarë dhe maqedonas bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ai theksoi se shumica shqiptare në opozitë përfaqëson një padrejtësi të dukshme politike.

“Nga 30 deputetë shqiptarë në Kuvend, vetëm 11 janë pjesë e pushtetit, ndërsa 19 janë në opozitë. Kjo bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me parimin e fair play politik, ku edhe shumica e deputetëve shqiptarë, edhe shumica e deputetëve maqedonas duhet të jenë në pushtet.”, tha mes të tjerash Taravari.