BDI: Gabimet e VMRO-së po minojnë perspektivën e shtetit, BDI ofron veting me monitorim ndërkombëtar

VMRO-DPMNE është partia më pak e thirrur për të mbajtur leksione për luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe ndërhyrjes politike, sepse sot, nga pozita e pushtetit, po demonstron qartë se ka vetëm një synim: kapjen e plotë të shtetit dhe sidomos të drejtësisë. Nën drejtimin e kësaj qeverie, politika po ndërhyn hapur në Prokurori, Këshillin Gjyqësor Republikan dhe në Këshillin e Prokurorëve, me skenarë klasikë politikë për ta vënë drejtësinë nën kontroll.
BDI nuk i frikësohet drejtësisë së pavarur dhe as transparencës. Përkundrazi, ne ofrojmë zgjidhje konkrete: vetting me monitorim ndërkombëtar, që të pastrohet skena politike dhe publike nga çdo ndikim korruptiv. Le të hetohet pasuria e çdo politikani dhe çdo partie politike. Le të hetohet procesi më i madh korruptiv në vend – privatizimi – i cili krijoi oligarkë të paprekshëm me monopole në sektorë kyç të ekonomisë, që sot bëjnë gjithçka për ta penguar integrimin europian, nga frika e konkurrencës së ndershme.
BDI kërkon që hetimi të shtrihet edhe mbi institucionet e sigurimit shtetëror dhe punonjësit e tyre që nga viti 1945 e deri më sot, sepse vetëm kështu mund të mbyllet një kapitull i errët i së kaluarës dhe të ndërtohet një shtet ku askush nuk është mbi ligjin. Ata që nuk kanë çfarë të fshehin, e pranojnë vetingun.
Ka kaluar koha e projekteve monoetnike dhe e supremacisë etnike. Maqedonia e Veriut ndërtohet vetëm së bashku, në frymën e multietnicitetit dhe barazisë, jo duke përdorur petkun e “luftës kundër korrupsionit” për të realizuar agjenda që e minojnë shtetin dhe kapin atë për të realizuar agjenda monoetnike.
BDI mbetet e vendosur për ta çuar vendin përpara drejt integrimit europian, me institucione të pastra, me drejtësi të pavarur dhe me një shoqëri që i jep fund tranzicionit të pafund.