Deputeti i VV-së, Dimal Basha mori votat e nevojshme për t’u bërë Kryetar i Kuvendit.

73 deputetë kanë hedhur votën pro tij.

Vetëvendosje e provon sërish me Dimal Bashën për kryeparlamenar

Lëvizja Vetëvendosje, e ka propozuar sot Dimal Bashën për pozitën e kryetarit të Kuvendit, raporton Klankosova.tv

Votimi tashmë ka nisur dhe pas pak pritet rezultati.

Kujtojmë se deri më tash pesë kandidatë janë propozuar nga kjo parti, por asnjëri prej tyre nuk i mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në tri seanca e kaluara./Klankosova.tv

11:21 – Nis seanca, a do ndryshojnë vetëm emrat, apo edhe votat?

Ka filluar seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e katërta me rradhë pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Në tentimet e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar tre emra, transmeton Klankosova.tv.

Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin dhe Dimal Bashën, por asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Sot pritet të shihet nëse do të ketë emra të rinj të propozuar ose nëse procesi do të vazhdojë pa ndryshime.

11:09 – Limaj insiston në marrëveshje politike: Nuk është garë e ping-pongut ndërtimi i institucioneve

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj u shpreh qartë sot se pa marrëveshje politike, s’do të ketë votë pro kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të kuvendit.

Megjithatë kur u pyet për takimin me Kurtin, ai përsëri dha qëndrimin e tij, se s’mund të ketë institucione pa dakordim paraprak, transmeton klankosova.tv.

”Duhet të ndërtojë institucionet. Nuk është garë e ping-pongut çështja e ndërtimit të institucioneve të shtetit”.

”Pa marrëveshje politike s’mund të ndërtojmë institucionet. Ne jemi të interesuar që gjërat të shkojnë sic duan qytetarët e Kosovës”.

11:03 – Kica-Xhelili: LDK s’ka vota për asnjë kandidat të VV-së

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se kjo parti nuk vota për asnjë kandidat të VV-së për kryetar të parlamentit.

Pas një mungese gati dymuajshe për shkak të vështirësive në shtatzëni, ajo tha se propozimi i LVV-së që Dimal Basha të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, ishte taktizim, njofton Klankosova.tv.

“I takon secilës parti politike qe të mbajë qëndrimet e veta sa i përket votimit ose jo për kandidatët e VV-së. LDK nuk ka marrëveshje me VV-në sepse nuk e duam një të tillë. Rrjedhimisht nuk kemi votë për asnjë kandidat. Tema e propozimeve është kryer. Ajo që ndodhi pardje, ishte taktizim, jo për faktin që u propozua emri, por për faktin që u refuzua një konsultim. Kjo është e dhimbshme sepse qytetarët po presin, po humbim shumë”, u shpreh deputetja, njofton Klankosova.tv.

11:03 – Hasani: Zero votë për VV-në, përjashtimisht vetëm Shqipe Selimi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka bërë të ditur se nuk jep votën e tij për Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Nuk kanë votën time, as Partia Demokratike, për këdo që e kërkon, për Vetëvendosjen zero”, ka deklaruar Hasani, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka përjashtuar vetëm rastin e deputetes Shqipe Selimi, duke shtuar se nëse ajo del për kryetare, atëherë do të japë votën e tij.

10:51 – Memli Krasniqi: Nëse VV e konsideron të denjë, e votojmë Dimal Bashën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se kjo parti do ta votojë Dimal Bashën nëse i njëjti konsiderohet i duhur për kryeparlamentar nga VV-ja, njofton Klankosova.tv.

Në një deklarim para mediave pak para fillimit të seancës, ai tha se PDK-ja i qëndron besnik asaj që ka deklaruar, se kjo parti e voton çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit.

“Kërkuam konsultim me grupet parlamentare, e kemi bërë edhe sot si grup parlamentar i PDK-së. Tashmë edhe zyrtarisht duke adresuar një kërkesë në drejtim të kryesuesit, Avni Dehari. Kërkesa jonë edhe sot, ashtu siç ishte edhe pardje por që na u pamundësuar, të takohemi me grupet parlamentare, nuk kemi nevojë për konsulta mes nesh. Takohemi me grupet parlamentare për të mundësuar konstituimin dhe për të siguruar që VV është vërtetë e sigurt që nuk dëshiron të japë një kandidat më të denjë dhe më të përgatitur dhe më të duhur se kandidati që propozuan për kryetar”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

“Mënyra si e kanë propozuar në mënyrë të befasishme e papritmas nuk ishte mënyra për ta zgjedhur vërtetë, ishte taktizim që po dëshirojnë ta testojnë pozicionin tonë. Në i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë. Votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit por kërkesa për konsult edhe sot është për t’i thënë VV-së se a janë të sigurt që vërtetë dëshironi ta degradoni nivelin duke vendosur një kandidat që as nuk është i duhur e as nuk i plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar, megjithatë nëse VV e konsideron se Dimal Basha apo një i tillë është kandidati më i mirë që ata kanë për këtë pozicion, ne do ta votojmë”, shtoi kryetari i PDK-së.