Sipas anketës së fundit për Komunën e Çairit, Bujar Osmani ka një përparësi prej 8 për qind ndaj kundërkandidatit të tij, Izet Mexhiti. Të dy janë figura të njohura të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por garojnë nga pozicione të ndryshme shkruan Tetovasot.
Osmani hyn në këtë garë nga opozita, pa ndonjë mekanizëm institucional në dorë, ndërsa Mexhiti është aktualisht një nga figurat më të pushtetshme – kryetar i partisë LD, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ambientit Jetësor. Megjithatë, kjo duket se nuk i ka mjaftuar për të siguruar epërsi në sondazhe.
Përse anketa e nxjerr Osmanin përpara?
Një arsye mund të jetë perceptimi publik: qytetarët shpesh kanë më shumë pritshmëri nga opozita, e cila shihet si mundësi për ndryshim. Nga ana tjetër, pozitat e shumta që mban Mexhiti mund të jenë bërë edhe barrë politike – qytetarët presin më shumë rezultate nga dikush që ka qenë gjatë në pushtet, ndërsa pakënaqësitë reflektohen në sondazhe.
Çairi mbetet një ndër komunat më të ndjeshme dhe simbolike për shqiptarët në vend. Diferenca prej 8 për qind nuk është e pakapërcyeshme, por është një sinjal serioz se gara nuk do të jetë e lehtë për Mexhitin, pavarësisht posteve që bart.
Ndryshe sipas një ankete të realizuar nga një institut i njohur për hulumtim të opinionit publik, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, gëzon një përparësi prej gati dhjetë pikë përqindje ndaj rivalit të tij, ish-kryetarit Izet Mexhiti. Njëkohësisht, rezultatet tregojnë pakënaqësi serioze ndaj menaxhimit të deritanishëm të komunës dhe rënie dramatike të përkrahjes për koalicionin VLEN, i cili aktualisht është pjesë e strukturës qeveritare. Tetovasot