Sot, përmes ilustrimit në Bilborde, Bashkimi Demokratik për Integrim, dega – Tetovë ka shfaqur skemat e dyshimta të kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me shitjen e pronave dhe ndërmarrjeve publike për çmime qesharake, 1 euro për metër katror dhe 0 euro për koncesione.

Gjatë këtij mandati në krye të komunës, Kasami punën e vetme që e ka bërë ka qenë shitja e pronave publike për qëllime afariste. Të gjitha pronat e shitura, që kanë qenë në pronësi të komunës së Tetovës, Kasami i ka shitur për çmime qesharake tek të afërmit e tij dhe njerëzit e lidhur me partinë që ai përfaqëson.

Ky aktivitet i sotëm dëshmon keqpërdorimet marramendëse që ka bërë kjo udhëheqësi e komunës së Tetovës me pronat dhe ndërmarrjet publike. Bilall Kasami, të cilit i kanë mbetur edhe disa ditë në krye të komunës, qytetin e Tetovës gjithmonë e ka parë vetëm për pasurim personal dhe të klanit të tij të interesit.

Të gjitha pronat publike janë shitur me çmime tejet të ulëta nga vlera reale e tregut, të cilat pastaj janë rishitur tek kompanitë e treta me çmime më të mëdha.

Shtrojmë pyetjen se ku përfundojnë këto para nga diferenca e çmimeve?

Ftojmë organet përkatëse që të hetojnë këto keqpërdorime me paratë e tetovarëve.