Çfarë fshihet pas kërkesës së Alta Bankës serbe për të ndalur blerjen e Stopanska Bankës së Manastirit?

Komisioni i Letrave me Vlerë i Maqedonisë (KLV) e pezulloi procedurën në të cilën kompania serbe Alta Group do të merrte në pronësi Stopanska Bankën Sh.A. Manastir. Sipas KLV-së, procedura u pezull me kërkesë të kompanisë serbe për shkak të një ndryshimi të blerësit brenda grupit. Në informacionin e shkurtër sensitiv ndaj çmimeve të publikuar në Bursën e Maqedonisë, thuhet se Alta Group ende synon të marrë në pronësi Stopanska Bankën-Manastir, por jo përmes Alta Bank, por përmes një anëtari tjetër të grupit, transmeton Portalb.mk.
“Ju informojmë se në pajtim me nenin 22, paragrafi 1 të Ligjit për Marrjen në pronësi të Shoqërive Aksionare, Komisioni i Letrave me Vlerë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 25.8.2025 … duke vepruar sipas kërkesës së Alta Group SHPK Beograd, R. e Serbisë për marrjen e lejes për një ofertë për marrjen në pronësi të shoqërisë aksionare Stopanska banka Sh.A. Manastir, në seancën e mbajtur më 19.08.2025 miratoi një Aktvendim për ndërprerjen e procedurës për shkak të ndryshimit të blerësit brenda të njëjtit grup”, thuhet në informacionin e publikuar në Bursën e Maqedonisë.
Më tej në informacion shtohet se Alta Group, “në Kërkesën për ndërprerjen e procedurës, ka theksuar se mbeten të përkushtuar ndaj qëllimit për të marrë pronësinë e Stopanska Bankës Sh.A. Manastir, domethënë nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për të marrë në pronësi Stopanska Banka SH.A. Manastir, por vetëm po ndryshon blerësin brenda të njëjtit grup”.
Është karakteristike që KLV-ja, pavarësisht faktit se vendimi për të ndërprerë procedurën u mor në seancën e mbajtur më 19 gusht 2025, nuk përmend as Alta Group-in dhe as Stopanska Bankën Manastir në njoftimin nga ajo seancë.
Disa ditë më parë, më 21 gusht, në bursë u publikua një tjetër informacion sensitiv në lidhje me Stopanska Bankën Manastir, i cili zbuloi se anëtarët e Këshillit Drejtues të bankës së Manastirit ishin informuar se Alta Banka Sh.A. Beograd, anëtare e Alta Group, synon të bëjë një ofertë për të marrë përsipër deri në 100 përqind të aksioneve të zakonshme me të drejtë vote. Siç është shtuar në këtë informacion, banka serbe dëshiron të ofrojë një shumë prej 3.777 denarësh për aksion, ose rreth 24 milionë euro për bankën e Manastirit.
Me të njëjtin njoftim është njoftuar se Alta Group do të parashtrojë një kërkesë për leje për një ofertë blerjeje deri te Komisioni i Letrave me Vlerë pasi të ketë marrë miratimin nga institucionet përkatëse në Serbi (Miratimi i Jashtëm) dhe pëlqimin nga organet dhe institucionet vendase. Duke pasur parasysh se dje grupi ka kërkuar pezullimin e procedurës pas kërkesës së parashtruar për leje oferte, mund të supozohet se Alta Group tashmë i ka marrë të gjitha kërkesat e nevojshme nga institucionet serbe dhe ato maqedonase, siç janë Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Në maj të këtij viti Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në Maqedoni njoftoi edhe se kishte marrë një njoftim se Alta Group dëshironte të bëhej pronar i shumicës dhe të fitonte kontrollin mbi Stopanska Bankën Manastir.
Një nga aksionarët më të mëdhenj në Stopanska Banka Manasir është biznesmeni Orce Kamçev, i cili ndër të tjera, është edhe pronar i spitalit privat Acibadem Sistina në Shkup. Pjesën më të madhe të aksioneve të bankës, rreth 22 përqind, e mban Pelisterka së bashku me kompaninë TIMOH. Çmimi i aksioneve të bankës në muajin e fundit është 3.230 denarë. Në gjysmën e parë të vitit 2025 Stopanska Banka Manastir realizoi një fitim prej 33,6 milionë denarësh ose rreth gjysmë milioni euro, ndërsa në vitin 2024 fitimi ishte 163,1 milionë denarë ose 2,6 milionë euro.
Sa i përket pronarit të Alta Group, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të këtij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiq. Është interesante se, sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit do të duhet të paguajnë faturat e energjisë elektrike në llogarinë bankare të EPS në Alta Bank.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që sipas tyre pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. “Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in”, thonë nga BDI.
Ndryshe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit.
“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport./Portalb