Sondazhi për Çairin dhe mesazhi i Borrellit ndezin sulmet e mediave proqeveritare VMRO-VLEN ndaj Bujar Osmanit

Mediat e afërta me pushtetin VMRO-VLEN kanë nisur një fushatë të zezë ndaj kandidatit të BDI-së dhe Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim në Çair, Bujar Osmani, menjëherë pas publikimit të një sondazhi për zgjedhjet lokale dhe mesazhit mbështetës nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Sipas anketës së realizuar nga një institut i njohur për opinionin publik, Osmani kryeson me gati dhjetë pikë përqindje ndaj rivalit të tij, ish-kryetarit Izet Mexhiti. Rezultatet nxjerrin në pah pakënaqësi serioze me menaxhimin aktual të komunës dhe një rënie dramatike të përkrahjes për koalicionin qeveritar VLEN.
Pas këtyre zhvillimeve, disa media të afërta me qeverinë kanë publikuar pretendime të vjetra ndaj Osmanit, për një çështje që institucionet e drejtësisë e kanë mbyllur që në vitin 2024. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion atëkohë kishin konstatuar qartë se nuk kishte shkelje ligjore apo elemente korruptive në përgatitjet për samitin. Rasti është mbyllur përfundimisht dhe nuk ekzistojnë fakte të reja që do të justifikonin rihapjen e tij.
Në këtë rrethanë, pretendimi i një televizioni shqipfolës se ka “zbuluar” një marrëveshje të ish-ministrit Osmani me një kompani shqiptare – marrëveshje që ka qenë publike që në fazat e tenderimit – tingëllon jo vetëm absurd, por edhe ironik. Kjo veçanërisht kur dihet se bizneset shqiptare sot po përballen me margjinalizim të thellë nga qeveria aktuale në Shkup. Flaka Media