Ndërsa Evropa tronditet nga zbulimet se aeroplani i Ursula von der Leyen-it u detyrua të ulej manualisht për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse në sistemet GPS mbi hapësirën ajrore të Bullgarisë, ka dalë në dritë një informacion i papublikuar më parë: ky nuk ishte një rast i izoluar.

Në fakt, i njëjti rrezik i madh kishte ndodhur më shumë se një vit më herët, me avionin zyrtar të atëhershëm Kryesuesit të OSBE-së, Bujar Osmani.

Sipas burimeve të besueshme të njohura me rastin, avioni i Osmanit pësoi një ndërprerje të plotë të sinjalit GPS në hapësirën ajrore bullgare në shkurt të vitit 2023, teksa kthehej nga një mision zyrtar i OSBE-së në Moldavi.

Pilotët u detyruan të përdornin mjetet tradicionale të navigimit dhe hartat e shtypura, duke ndjekur saktësisht të njëjtat protokolle emergjence të përdorura disa ditë më parë gjatë uljes së von der Leyen në Plovdiv.

Ajo që bie në sy është se ky fakt nuk është bërë kurrë publik, as nga OSBE, as nga Bashkimi Evropian, e as nga autoritetet e NATO-s. Në kontrast me rastin e von der Leyen, i cili u trajtua hapur nga Komisioni Evropian, incidenti i vitit 2023 me Osmanin u menaxhua brenda strukturave dhe mbeti i fshehur deri më sot.

Paralelizma alarmuese

Ngjashmëritë mes dy rasteve janë tronditëse. Të dyja përfshijnë udhëheqës të nivelit të lartë, të dyja ndodhën mbi hapësirën ajrore bullgare, dhe në të dyja rastet u detyruan të hiqnin dorë nga teknologjia për t’iu kthyer navigimit manual për shkak të dyshimeve për bllokim të qëllimshëm të GPS-it.

“Dy incidente të tilla, që prekin zyrtarë të lartë në të njëjtin korridor fluturimi, sugjerojnë qartë një cenueshmëri sistemike,” tha një analist evropian i sigurisë ajrore. “Në rastin më të mirë, është një dështim transparence. Në rastin më të keq, është një shenjë e komprometimit të thellë brenda institucioneve kyçe bullgare.”

Pyetje të rënda për Bullgarinë
Rasti von der Leyen tashmë ka detyruar autoritetet bullgare të aviacionit të pranojnë ndërhyrje GPS dhe të konfirmojnë aktivitet të dyshuar armiqësor nga Rusia. Por me zbulimin e rastit të Osmanit, panorama bëhet shumë më e zymtë. Tani shihet një model më i gjerë dhe më shqetësues, një në të cilin kufiri lindor i Evropës mund të jetë shumë më i depërtuar ose më pak i sigurt sesa mendohej.

Mgid