Në Maqedoninë e Veriut, ndodhi një akt i papranueshëm dhe provokues për qytetarët e vendit tonë, veçanërisht për shqiptarët. Një delegacion shtetëror serb, me protokoll shtetëror, vendosi një pllakë përkujtimore për nënkolonelin e ushtrisë serbe dhe vojvodën çetnik Voin Popoviq – i njohur si Vojvoda Vuk, i cili në vitin 1916 kishte marrë pjesë në okupimin e territoreve tona.

Ceremonia u shoqërua me intonimin e himnit të Serbisë, pjesëmarrjen e ministrave të Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesve të ushtrisë dhe klerit serb, si dhe me vendosjen e kurorave.

Ky akt është më shumë se një përkujtim historik: është një mesazh i hapur i Serbisë se në Maqedoninë e Veriut mund të ngrihen monumente të figurave të saj ushtarake e çetnike, pa marrë parasysh ndjenjat e popullsisë vendase, veçanërisht të shqiptarëve, të cilët kanë qenë viktima të këtyre politikave hegjemoniste.

Kush ishte Vojvoda Vuk?
Voin Popoviq (1881–1916), nënkolonel i ushtrisë serbe dhe vojvodë çetnik, mori pjesë në luftimet për Maqedoninë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, si komandant i Detashmentit Vullnetar në Frontin e Selanikut. Ai ishte një nga figurat kryesore të ekspansionizmit ushtarak serb, përfshirë edhe okupimin e territoreve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët dënon fuqishëm këtë akt skandaloz dhe shovinist, që përbën provokim të drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve, duke prekur ndjenjat e qytetarëve të vendit. Qeveria e Mickoskit, duke heshtur dhe duke lejuar aktivitete të tilla, tregon jo vetëm dobësi, por edhe bashkëpunim të heshtur me projektin e “Botës Serbe”, ndërsa VLEN nuk ka fuqi ta parandalojë.

Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm institucional, si dhe shpjegim nga qeveria pse është lejuar ky akt i turpshëm në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut nuk është fushë për ekspansionizëm serb dhe as nuk do të lejojë rehabilitimin e figurave çetnike që përfaqësojnë dhunën, okupimin dhe shtypjen e shqiptarëve, por edhe të vetë maqedonasve.

Aleanca për Shqiptarët

Mgid