ASH-Sela: Prokuroria të zbardh deklaratat e Adnan Azizit dhe të hetohet për nxitje të tensioneve ndërfetare

Deklarata e mbrëmshme e deputetit të VLEN, Adnan Azizi është shqetësue dhe nuk guxon të ngelet pa u zbardhur deri në fund. Ajo që u tha mbrëmë është një alarm për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend, sigurinë e qytetarëve, por dhe për stabilitetin e vendit. Meqë tha “kemi informacione të sakta” se do të digjet xhamia në Kodrën e Diellit, ftojmë deputetin Adnan Azizi që këto informacione t’i publikojë ose ti deponojë në organet e rendit dhe në Prokurori. Nëse ai nuk e bën këtë për çfarëdo qoftë arsye, atëherë Prokuroria Publike duhet të ndjek deputetin Azizi për nxjitje të urrejtjes dhe dhunës në baza fetare, skenare të rrezikshme për vendin dhe sigurinë e qytetarëve. Aktet e tilla paraqesin terrorizëm dhe cënim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, andaj duhet të vërtetohet nga organet kompetente nëse vërtetë ka rrezik për ngjarje të tilla, apo rreziku vjen nga deklarata e një politikani që cënon edhe rendin kushtetues për përfitime politike ditore.
Nëse nuk jepen të dhëna të sakta në Prokurori dhe ky rast nuk zbardhet në kohë, atëherë është e qartë se VLEN dhe Shefi i Shtabit të tyre Zgjedhor, po luajnë me zjarr, me urrejtje ndërfetare dhe skenare të ngjashme të rrezikshme për qëllime të fushatës parazgjedhore.
Prokuroria, MPB dhe organet e tjera duhet të vërtetojnë nëse Adnan Azizi ka denoncuar një rrezik të vërtetë, apo ka nxitur një situatë të rrezikshme potenciale për të ardhmen?
Lojrat politike me skenare dhe prapavijë fetare janë të patolerueshme dhe ftojmë qytetarët që të mos bien pre e skenareve, deklaratave dhe manipulimeve të tilla të cilat jo rrallë herë i kemi dëgjuar nga eksponentë të këtyre parti.
– Aleanca për Shqiptarët