Kundërkandidati im thotë se Bujar Osmani asnjëherë nuk e ka përjetuar Çairin si shtëpinë e vet, por vetëm si një hap drejt një karrigeje në Qeveri. Për të, Çairi asnjëherë nuk ka qenë qëllim, por mjet. Kështu tha sonte kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani para qytetarëve të Çairit, ndërsa sfidoi kundërkandidatin e tij me një propozim të qartë.

“Hajde të bëjmë një marrëveshje. Unë sot do të nënshkruaj, madje edhe te noteri nëse duhet, që nuk do ta lë komunën e Çairit deri sa ju të mos më ndërroni me votë. Asnjëherë, për asnjë funksion, pa marrë parasysh çfarë oferte mund të më japin nesër. Edhe nëse më propozojnë për ministër – unë nuk do ta lë funksionin e kryetarit të komunës. Por, të njëjtën marrëveshje duhet ta pranojë edhe Mexhiti. Nëse ai humb, duhet të japë dorëheqje – menjëherë. Kjo është çështje e moralit politik dhe e ndershmërisë personale. E pastaj le të shohim kush është i ndershëm e kush jo në qëllimet e veta”, tha Osmani.

Nëse kandidati humb, ditën tjetër të japë dorëheqje, shtoi Osmani.

“Ashtu siç unë gjithmonë kam bërë kur kam qenë kandidat”, shtoi Osmani.

Historia është e qartë, vijoi më tej ai, kur politikanët e vërtetë kanë kandiduar për funksione lokale, fillimisht janë dorëhequr nga funksionet e tyre në Qeveri.

“Këtë e ka bërë Teuta Arifi si zëvendëskryetare e Qeverisë. Këtë e ka bërë Nevzat Bejta si ministër për Vetëqeverisje Lokale. Këtë e ka bërë edhe Zekirija Ibrahimi si deputet. Është e natyrshme me atë akt të tregosh se komuna nuk është variant rezervë për ty. Por se hyn me gjithë zemër, nëse vërtet je i përkushtuar ndaj komunës dhe ndaj Çairit”, tha Osmani.

Kjo marrëveshje, sipas tij, është test për sinqeritetin.

“Për të parë kush vërtet do të punojë për Çairin – dhe kush do ta përdorë Çairin për t’u kthyer në funksion në Qeveri. Qytetarët kanë të drejtë të dinë: kush është këtu për ta, e kush është këtu vetëm për veten”.

Mgid