Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se parasheh ndërtimin e dy çerdheve të reja, në modelin e çerdhes tashmë të ndërtuar “Bambi”, përcjell TV21. Mexhiti theksoi se me ndërtimin e këtyre dy çerdheve, do të sigurohet përkujdesje adekuate për rreth 1000 fëmijë.

“Sot Çairi mburret me shkallën më të lartë të natalitetit në vend. Kjo është forca jonë. Krenari jonë, dhe mbi të gjitha, përgjegjësia jonë më e madhe. Por forca e vërtet e një shoqërie nuk matet vetëm me shifra. Ajo qëndron në dijen, në vlerat dhe urtësinë që duhet t’ua transmetojmë brezave të ri. Prandaj po vendos një zotim të qartë, të ndërtojmë një sistem të përkujdesjes dhe arsimimit që fillon që në moshën më të hershme. Ky vizion tashmë ka themele të forta. Me hapjen e çerdhes më të madhe në shtet, “Bambi”, me kapacitet për 360 fëmijë, kemi treguar se Çairi mund të jetë vend udhëheqës dhe shembull për të tjerët. Me vendimet për ndërtimin e dy çerdheve të reja, “Borëbardha” dhe “Vesëza”, secila me kapacitet për 300 fëmijë, po vendosim standarde të reja për infrastrukturë moderne, gjithëpërfshirëse dhe funksionale. Kjo do të thotë se vetëm në këto tri çerdhe, do të kujdesemi për rreth 1000 fëmijë, thuaj se të gjithë fëmijët e sistemit të deritashëm me 7 çerdhe”, tha mes tjerash Mexhiti.

Mgid