Në seancën e sotme parlamentare, deputeti Halil Snopçe ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Izet Mexhitit, duke e akuzuar këtë të fundit për hipokrizi dhe përpjekje për të larë duart nga e kaluara e tij politike në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
“Z. Mexhiti e citon thënien: ‘Fshije gishtin tënd përpara se të ma tregosh njollën time’, por harroi se ai vetë është pjesë e asaj njolle për më shumë se dy dekada. Vetëm një vit BDI-ja ka qenë në pushtet pa Izet Mexhitin”, deklaroi Snopçe.
Ai theksoi se është e pabesueshme që Mexhiti dhe grupi i tij sillen sikur janë pastruar nga mëkatet politike, pasi janë ndarë nga BDI-ja, duke e cilësuar këtë qëndrim si përpjekje për të krijuar një “opozitë të opozitës”.
“Z. Mexhiti ka një tendencë të bëhet viktimë e krijesës së vet. Me këtë qasje, ai po u thotë të tjerëve: ‘Mos u bëni si ne’. Ai ka qenë më shumë në pushtet se vetë Ali Ahmeti. Nëse i numërojmë vitet, Mexhiti ka qenë gjashtë muaj më shumë në pushtet se kreu i BDI-së”, tha Snopçe.
Deputeti nga radhët e opozitës shtoi se është paradoksale që Mexhiti dhe bashkëpartiakët e tij aktualë akuzojnë opozitën edhe për probleme në komunën e Çairit dhe për çështje si regjistrimi i popullsisë, ndonëse vetë kanë qenë pjesë aktive e proceseve përkatëse.
“Për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve nuk thatë asnjë fjalë. Asgjë nuk bëtë për mbylljen e kazinove. Madje, edhe unë personalisht jam ndjerë i mashtruar nga premtimi për mbylljen e tyre. Sot, kemi më shumë apo më pak kazino?”, përfundoi Snopçe.